Bullgarë e maqedonë përsëri kapen fyt-për-fyt
3 shtator 2025 – Ministri i Jashtëm bullgar, Georg Gerogiev, nëpërmjet një letre dërguar kryediplomatëve evropianë, ka shprehur shqetësimin e Bullgarisë për dështimin e vazhdueshëm të Shkupit për t’i përmbushur detyrimet karshi BE-së.
Ai e ka cilësuar si provokim nismën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së protokollit nga Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë, e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese nga ish-deputetja Liljana Popovska.
“Marrëveshja paketë e miratuar në nivel evropian në korrik të vitit 2022 mbetet e vetmja rrugë e mundshme për këtë vend kandidat. Për fat të keq, në vend të bisedimeve konstruktive dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, ne po shohim një politikë ballafaquese, provokime dhe shpërfillje ndaj detyrimeve, përfshirë sfidimin e qëllimshëm të marrëveshjeve kyçe para Gjykatës Kushtetuese në Shkup”, thuhet në letër.
Georgievi, më tej, ka thënë se është e pamundur që të ndryshohet ujdia e arritur evropiane.
Sipas tij, Bullgaria pret prej fqiut të saj që t’i përmbushë në mirëbesim detyrimet, ashtu siç ka ngulmuar vazhdimisht Këshilli Evropian.
“Ne i mbahemi mendimit se zgjidhja më e mirë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor është për të gjitha vendet të marrin pjesë në më të suksesshmin projekt që quhet Bashkim Evropian”, thuhet në letër ku shprehet gatishmëria për ta ndihmuar Shkupin zyrtar.
Letra ka përsëritur se Sofja nuk do të pranojë asnjë ndryshim të protokollit të vitit 2022, pavarësisht proceseve juridike apo politike në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkohë gjatë ditës ka ardhur edhe reagimi i parë zyrtar. Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova ka thënë se gjykatat kushtetuese nuk janë nën juridiksionin e politikanëve fqinj.
Ajo ka theksuar se është e pakëndshme të komentohen deklarime të tilla ashtu sikurse edhe komentet për punën e Gkykatës Kushtetuese.
“Është e papërshtatshme për mua të komentoj deklarata të tilla, ashtu siç është e papërshtatshme edhe për ju të komentoni punën e Gjykatës Kushtetuese. Gjykatat Kushtetuese janë madje jashtë ndarjes së pushtetit brenda shtetit, dhe sigurisht ato nuk janë nën juridiksionin e politikanëve fqinj”, ka thënë ndër të tjerash Siljanovska-Davkova.