Britania e dënon me 13 vite burgim rojën e ambasadës që spiunoi për Rusinë
Një burrë që i kishte dhuruar Rusisë informata shumë të ndjeshme, përderisa punonte si rojë në ambasadën britanike në Berlin, u dënua të premten me 13 vite e dy muaj burgim nga një gjykatë në Londër.
Në gjykatë u tha se 58-vjeçari David Ballantyne Smith, kishte grumbulluar të dhëna konfidenciale për më shumë se tre vjet, përfshirë komunikime qeveritare “sekrete” me kryeministrin e atëhershëm britanik, Boris Johnson, dhe dokumente të tjera të ndjeshme, raporton agjencia “Reuters”.
Gjykatësi Mark Wall tha se në mesin e akuzave për të cilat Smith është dënuar, përfshihen sjelljet mes viteve 2020 e 2021, por se “aktivitetet shkatërruese kishin filluar dy vjet më parë”.
I akuzuari Smith pranoi se kishte u kishte dërguar dy letra me të dhëna të ndjeshme individëve në ambasadën ruse në Berlin, por gjykatësi shtoi: “Jam i sigurt se, në një pikë më 2020, ju vendosët kontakt të rregullt me dikë në ambasadën ruse. Ju u paguat nga rusët për tradhtinë tuaj.”
Smithi u deklarua fajtor në nëntorin e vitit të kaluar për nëntë shkelje sipas Aktit të Sekreteve Zyrtare, përfshirë një akuzë në lidhje me dërgimin e informatave te gjeneral-major Sergey Chukhrov, atashe ushtarak rus në Berlin, në nëntorin e vitit 2020.
Në shtatë akuza të tjera përfshihet grumbullimi i të dhënave që mund të jenë të dobishme për Rusinë, pesë prej të cilave lidhen me një oficer të shërbimit MI5 të paraqitur si “Dmitry”, shtetas rus që supozohet se ishte duke i dhuruar asistencë Britanisë.
Këtë javë, Smithi tha në gjykatë se “i vjen neveri nga vetja dhe i turpëruar për atë që e ka bërë” dhe se kishte filluar që të mblidhte të dhëna konfidenciale gjatë një mosmarrëveshjeje me kolegët, përderisa ishte duke vuajtur nga depresioni.
