Asnjë zë nga Lista Serbe për sulmet terroriste në veri, para 10 dite Radojçiq kishte kërcënuar publikisht Kurtin - NACIONALE

Asnjë zë nga Lista Serbe për sulmet terroriste në veri, para 10 dite Radojçiq kishte kërcënuar publikisht Kurtin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Lista Serbe – që zakonisht është e para të reagojë në Facebook ndaj çfarëdo pranie të forcave policore kosovare – gjatë ditës së sotme s’është bërë fare e gjallë teksa ka qëndruar në heshtje absolute.

Policia e Kosovës ka arritur të neutralizojë tre nga sulmuesit terroristë në rrethinën e Manastirit të Banjskës në Zveçan, dy i ka arrestuar, teksa dy janë plagosur dhe të cilët u raportuan të jenë duke marrë ndihmë mjekësore në një spital në Novi Pazar.

Mes tjerash, edhe katër të tjerë janë arrestuar të nacionalitetit serb të cilët janë kapur me radiolidhje që dyshohet të kenë qenë duke asistuar grupin kriminal.

Kujtojmë se para mëse 10 ditë, Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq, përmes një publikimi në faqen zyrtare të LS-së kishte lëshuar kërcënim të hapur ndaj Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me fjalët “do të tregojë koha kush do të vuajë dhe kush do të paguajë”.

Albin Kurti, sikur të gjithë okupuesit e tjerë, mund të bësh ç’të duash, por jo për aq gjatë sa ti dëshiron. Koha do të tregojë se kush do të vuajë dhe kush do ta paguajë në fund”.

Në këtë rast, jemi në dijeni që kërcënimi juaj nuk është naiv, sepse ju në periudhën paraprake keni dëshmuar se mund të krijoni kaos, të nxitni konflikt dhe urrejtje, të abuzoni institucionet dhe të përndjekni serbët pa asnjë dëshmi...”, shkruante Radojçiq në shkrimin famëkeq të tij.


Policia publikon pamjet e aresnalit të armëve dhe pajisjeve ushtarake të zëna në Manastirin e Banjskës

Policia e Kosovës, nën udhëheqjen e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, kanë hyrë në objektet përcjellëse të manastirit të Banjskës, për realizim të detyrave zyrtare dhe kanë gjetur një sasi të madhe armësh dhe pajisjeve të rrezikshme ushtarake.

Sipas informacioneve fillestare bëhet fjalë për gjetjen e dhjetëra, qindra armëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla, mitralozë, kallashnikov etj. etj.


E rrezikshme: Vuçiqi nuk distancohet nga grupi terrorist që vrau policin e Kosovës

Pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në Serbi. Gjatë konferencës, Vuçiqi nuk u distancua për asnjë moment nga grupi terrorist që vrau policin e Kosovës në veri dhe la një të plagosur.

Vuçiq ka pretenduar se sot u bë një “sulm brutal ndaj serbëve” gjatë një konference për media pas sulmit të së dielës ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ai ka propaganduar se bëhet fjalë për qytetarë serb të revoltuar kundër institucioneve të Kosovës, të cilët sipas tij nuk kanë lidhje me Serbinë zyrtare.

Krejt kjo sepse sipas Vuçiq, mediat në Kosovë thanë se bëhet fjalë për grupe të financuar e organizuar nga Serbia ose Rusia, kurse sipas tij, në fakt bëhet fjalë për serb lokal të revoltuar.

Madje Vuçiq pretendon se këta serbë ranë pre e provokimeve të Kurtit.

“Serbët dhe jo njerëzit nga Serbia qendrore, siç gënjyen në mediat e Prishtinës, por nga Kosova u rebeluan, duke mos dashur të vuajnë më terrorin e Kurtit”. - deklaroi ai.

“Unë, në asnjë mënyrë, nuk dua ta justifikoj vrasjen e një polici shqiptar dhe as nuk mund ta justifikoj. Është një akt i dënueshëm dhe është diçka që nuk i duhej askujt”, tha presidenti serb.


Kurti për sulmuesit në veri: Strukturë mercenare e cila është përkrahur nga Beogradi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurtin, gjatë një deklarate të fundit për media lidhur me sulmin e sotëm në afërsi të Manastirit të Banjskës në Zveçan, ku si pasojë mbeti i vrarë një polic i Kosovës ndërsa një tjetër është plagosur, tha se “procesi në vijim do të na jap më shumë të dhëna se kush janë këta, si hynë në Kosovë dhe kush janë urdhërdhënësit e këtij sulmi”.

Kurti është shprehur se “bëhet fjalë për një formacion terrorist kriminal e profesionist i cili ka përgatitur gjatë këtë sulm”.

Ai më tej ka thënë se bëhet fjalë për një “strukturë mercenare e cila është përkrahur financiarisht nga Beogradi”.

Nga ana tjetër, Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se sulmi kundër policisë së Kosovës është realizuar me mbështetjen e Serbisë

Duke folur për RTK-në, Sveçla la përgjegjës presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.


Borrell telefonon Kurtin

Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) ka lëshuar një deklaratë të shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell. Në këtë deklaratë, Borrell shprehu shqetësimin e tij të thellë për sulmin dhe bëri thirrje për veprim të menjëhershëm për të rivendosur paqen dhe stabilitetin.

Në vazhdën e këtij sulmi terrorist brenda territorit të Kosovës nga një formacion prej pjesëtarësh të aramtosur rëndë, Përfaqësuesi i Lartë Borrell ka biseduar në telefon me kryeministrin Albin Kurti të Kosovës.

Kryediplomati i BE-së dënoi ashpër agresionin e sotëm, thuhet në deklaratë.

Lidhur me zhvillimet e fundit, Borrell ka biseduar në telefon edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuqiç, duke theksuar nevojën urgjente që sulmuesit përgjegjës për sulmin të dorëzohen menjëherë.

Ai përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe lirimin e pelegrinëve në Manastirin e Banjskës, që ata të largohen të sigurt.

Borrell bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit, thuhet në njoftim.

Rreth ngjarjeve në veri:

Ka shkuar në tre bilanci i të eliminuarve të formacionit terorrist në rrethinë dhe afërsi të Manastirit të Banjskës në Zveçan, ka njoftuar zyrtarisht Policia e Kosovës.

Përveç tre të neutralizuarve, Policia e Kosovës njoftoi se ka arritur ta kap dhe arrestojë njërin prej tyre, teksa për një tjetër ka njoftuar se është i plagosur.

Në dyshim për lidhje me këtë formacion të armatosur rëndë terrorist – që në orët e hershme ka vrarë një rreshter policor kosovar, Afrim Bunjakun – janë arrestuar edhe katër persona të tjerë të nacionalitetit serbë të cilët janë zënë në posedim të radiolidhjeve dhe janë dërguar në mbajtje.

Mediumi kosovar “Klan Kosova” ka raportuar se Njësia Speciale e Kosovës tashmë veçse ka depërtuar në vendndodhjen e këtyre forcave të armatosur dhe ka hyrë në Manastirin e Banjskës nga ku po operonin kjo bandë. Raportime të tjera (ende të pakonfirmuara) thonë se tashmë njësitet speciale "e kanë marrë nën kontroll" zonën rreth Manastirit. Megjithatë mbetet ende për t'u konfirmuar nga Policia e Kosovës.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka dhënë ultimatum duke thënë se “është koha e fundit për t’u dorëzuar”.

Misioni paqeruajtës i NATO-s ka thënë se është duke vëzhguar për së afërmi ngjarjen teksa ka shtuar se është përgjegjësi e Policisë së Kosovës si reagues të parë të sigurisë të menaxhojnë me incidentin.

Por, thanë nga KFOR-i, mbetet të gatshëm të ndërhyjnë nëse u kërkohet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se në ora 20:00 do të dalë në konferencë për media, siç kanë thënë nga zyra e tij, “për të demantuar gënjeshtrat e Kurtit”.

Lajme të ngjashme