Borrell bisedon me shefin e NATO-s, kërkon që Prishtina të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm destabilizues
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka njoftuar se ka biseduar me sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg, për situatën në veri të Kosovës.
Borrell përmes një postimi në Twitter, ka thënë se Prishtina nuk duhet të ndërmarrë hapa të njëanshëm, destabilizues.”
“Fola me sekretarin e NATO-s, Jens Stoltenberg për situatën në veri të Kosovës. Ne pajtohemi që Prishtina duhet të de-përshkallëzojë dhe të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm, destabilizues.” - shkroi diplomati spanjoll.
Për aksionin në veri, Kosova është kritikuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe Bashkimi Evropian.
Spoke to @NATO SG @jensstoltenberg about the situation in north of Kosovo. We agree that Pristina must de-escalate and not take unilateral, destabilising steps. Appreciate the continuous good coordination between @EULEXKosovo and @NATO_KFOR in ensuring a safe & secure environment
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) May 28, 2023
Çka ndodhi në veri?
Tentimi i kryetarëve të rinj të Zveçanit dhe Zubin Potokut për të hyrë në objektet e komunave nuk ka qenë i lehtë.
Me të marrë këtë lajm, serbët lokalë kanë lëshuar alarmet dhe ka filluar grumbullimi i qytetarëve për t`i bllokuar hyrjet e objekteve të komunave. Kjo ka nxitur tensionimin e situatës, e cila ka çuar edhe në intervenimin e Policisë së Kosovës.
Intervenimi i policisë në shpërndarjen e trumave para objekteve komunave në Zveçan dhe Zubin Potok ka bërë që disa zyrtarë të lëndohen.
“Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore. Po ashtu janë shkaktuar dëme materiale ndaj katër (4) automjeteve zyrtare, njërës prej tyre ia kanë vënë zjarrin. Dyshohet se në afërsi janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por që ende nuk dihet lokacioni i saktë." - është thënë në komunikatën e policisë.
