Borrell pas takimit me Kurtin dhe Vuçiqin: S’ka marrëveshje sot
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në konferencë për media ka thënë se “fatkeqësisht nuk kemi arritur sot marrëveshje”.
Megjithatë, Borrell u shpreh optimist ku tha se për këtë çështje do të punohet ditëve në vazhdim.
Tutje, Borrell tha se takimi nuk ishte normal apo i rregullt sepse aty u diskuta për zhvillime kryesisht negative pas zhvillimeve në veri të vendit.
“Për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Takimi i sotëm nuk ishte ndonjë takim normal apo i rregullt. Së bashku me përfaqësuesin Lajçak, do të ballafaqohemi me zhvillime kryesisht negative në terren, me rritje të tensioneve në veri të Kosovës” – është shprehur Borrell.
“Ky takim kishte të bënte me përgjigjshmërinë e dy liderëve në kërkim të zgjidhjeve, për të bërë përpjekje drejt paqes dhe stabilitetin në veri të Kosovës. Kjo ka ndodhur kur jemi në një kohë kritike, e shohim kthimin e luftës në kontinentin tonë pas invadimit të Ukrainës” – ka thënë Borrell.
E për përshkallëzim të situatës, Borrell lë përgjegjës që të dy; Kurtin dhe Vuçiqin.
“Pra, ky s’është momenti për rritje të tensioneve. Ju ka thënë liderëve, ky ishte takim për menaxhim krizash. Në anën tjetër, jemi fokusuar në rrugën drejt normalizimit gjithëpërfshirës. Të dy liderët patën rastin të bisedojnë. Sigurisht që ka dallime sa i përket këndvështrimeve sa i përket statusit vendimtar. Është diskutuar edhe për tabelat për hyrje dalje të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Palët do të kenë përgjegjësi të plotë për çfarëdo përshkallëzimi në terren” – shtoi Borrell.