Bordi i RTK-së e ndryshoi Statutin për ta emëruar drejtor shokun e sindikalistit të zëshëm, që heshti për Rilind Gërvallën
Bordi i RTK-së ka votuar sot dhe e ka emëruar ushtrues detyre të drejtorit, Hysen Hundozin. Pasi dështoi tentativa e parë, e dyta doli e sukseshme. Megjithatë, as kjo nuk ishte e lehtë.
Bordi i RTK-së është detyruar ta ndërrojë Statutin për ta votuar Hundozin si U.D drejtor në Televizionin Publik të Kosovës. Këtë e kanë arsyetuar me faktin se situata është rënduar pasi asnjë pagesë nuk po mund të kryhet.
“Me këtë rast, duke iu referuar kësaj situate të bllokuar financiare dhe menaxheriale, e cila paralizon të gjitha operacionet dhe aktivitetet në RTK, në kushte kur pjesëmarrës në mbledhjet e bordit të RTK-së ishin vetëm gjashtë (6) anëtarë, dhe pas konsumimit të mundësive për të emëruar një udhëheqës me pjesëmarrje të të gjithë anëtarëve , Bordi si organ kolegjial dhe mbikëqyrës me qëllim të zhbllokimit të krizës si mundësi e vetme, ka vendosur për plotësimin e rregullores nr. 22/24 për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK dhe Statutin nr. 1/22, duke rregulluar procesin e votimit të Ushtruesit të detyrës së Drejtorit të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë votash. Me këtë rast, Bordi i RTK-së emëroi edhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm, z. Hysen Hudozi, i cili punon në RTK që nga viti 2002 dhe ka pasur pozita të ndryshme menaxhuese dhe profesionale”, thuhet në njoftimin e Bordit të RTK-së.
Si rezultat, Bordi i RTK-së, në kundërshtim me statutin aktual, me 6 vota, e ka votuar për U.D drejtorin e ri.
Çuditërisht apo jo, udhëheqësi i ri që u votua nga bordi, del të jetë miku më i ngushtë i Fadil Hoxhës në RTK. Fadil Hoxha është kryetar i Sindikatës, i cili në një kohë kishte qenë mjaft i zëshëm për problemet në televizionin publik.
Megjithatë, Hoxha nuk reagoi asnjëherë për skandalet në RTK ku ishte i përfshirë drejtori i TV në RTK, Rilind Gërvalla.
Burimet i kanë thënë Nacionales se kohëve të fundit ka pasur një afërsi të madhe të Hoxhës me aktivistin e partisë në pushtet, drejtorin Gërvalla.
Megjithatë, një artikull më të zgjeruar për afërsinë e Fadil Hoxhës me Rilind Gërvallën, do të mund ta lexoni të premten.
Fotografi: Fadil Hoxha, Rilind Gërvalla dhe Hysen Hundozi së bashku.
Për këtë, Nacionale qysh sot dërgoi pyetje në Sindikatë, megjithatë nuk pati përgjigje.
Afërsia e Hundozit me Fadil Hoxhën shihet pothuajse në secilin postim në rrjete sociale.
Fadil Hoxha, ‘sindikalisti’ i zëshëm që u hesht muajve të fundit dhe nuk foli asnjë fjalë për skandalin e RTK-së me Slobodna Bosnën, reagonte ashpër vite më parë kur Ngadhnjim Kastrati ishte zgjedhur drejtor me 6 vota. Po aq sa sot i mori edhe miku i tij në Bordin e RTK-së.
“Drejtori gjeneral është zgjedhur me 6 vota. Shkelja është e matshme dhe e argumentueshme. Ne kemi shku, kemi alarmu, ne paguhemi me mbrojtë ligjshmërinë e po bëjmë shkelje të ligjit. Nuk ka kanë lënë me monitoru dhe kur e kemi pa që brenda s’po mundemi me bo kurrgjë ju kemi drejtuar Kuvendit, kryetar i Komisionit për media ka qenë Nait Hasani dhe i kemi thanë: Ndaleni këtë gabim! mirëpo ai ka thënë që Kuvendi nuk e trajton” , deklaronte Fadil Hoxha.
Mbetet të shihet nëse Hoxha do të reagojë edhe për zgjedhjen me 6 vota të mikut të tij.
Kjo situate ka ardhur pasi Shkumbin Ahmetxhekaj kishte dhënë dorëheqje. Më pas u largua edhe zv/drejtori Adrian Krasta.
Në krejt këtë kohë, RTK-ja ishte në qendër të vëmendjes duke raportuar lajmin e rrejshëm të një portal boshnjak kundër Nacionales e Periskopit.