Bloomberg: ShBA-ja dhe NATO-ja përplasin planin e Kosovës për të rihapur urën e Ibrit - NACIONALE

Bloomberg: ShBA-ja dhe NATO-ja përplasin planin e Kosovës për të rihapur urën e Ibrit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gazeta prestigjioze amerikan “Bloomberg” ka raportuar për paralajmërimet me tone të larta të Perëndimit ndaj Qeverisë së Kosovës kundër planeve për të hapur Urën e Ibrit.

Bloomberg, duke cituar deklaratat e Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian, shkruan se si një veprim i tillë nga insitucionet e qeverisë do të mund të rikthente tensionet në veri të vendit.

“Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier tha të premten se SHBA, NATO dhe Bashkimi Evropian nuk mbështesin asnjë ndryshim në statusin aktual të urës mbi lumin Ibër në qytetin verior të Mitrovicës, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës”, shkruan mediumi,

Gazeta amerikane madje ka përmendur edhe protesten e sotme nga komuniteti serb në veri për të kërkuar që ura të mbetet në status-quo’n e saj.

Sipas Bloomberg, frika e protestuesve serbë në rast të hapjes së urës është intensifikimi i pranisë së autoriteteve të Kosovës të dominuara nga shqiptarët.

“Gati një mijë protestues u mblodhën në anën serbe të qytetit të mërkurën, duke kërkuar që ura të mbetet e mbyllur për trafikun nga frika se rihapja e saj do të intensifikonte praninë e autoriteteve të Kosovës të dominuara nga shqiptarët në komunitetin e tyre”, thuhety aty.

“Ura në Mitrovicë aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë. Një ish-pikë ndezjeje, tani është patrulluar nga ushtarë ndërkombëtarë. Është bërë simboli ikonë i ndarjes mes pakicës serbe të Kosovës dhe shumicës së saj shqiptare”, shkruan Bloomberg.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai kërkon të integrojë komunitetet serbe si Mitrovica e veriut në Kosovë dhe mohon që masa për rihapjen e urës të jetë nxitëse, duke thënë se ajo synon të “nxisë ndërveprim paqësor”.

Bloombeg përmendi edhe paralajmërimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiqi i cili tha se një rihapje mund të shkaktojë një "përshkallëzim të dhunës", duke shpresuar se KFOR-i, misioni i NATO-s në Kosovë, do të "ruajë paqen dhe jetët serbe" dhe "të parandalojë një pushtim nga shqiptarët".

Kurti i reagoi shpejtë pretendimeve të presidentit serb duke shkruar se kishte bërë “akuza të rreme” dhe po përpiqej të “krijonte një atmosferë frike” për të shkaktuar një reagim nga KFOR-i në Mitrovicë.

KFOR-i, misioni i NATO-s në Kosovë, tha të martën se çdo vendim për hapjen e urës kryesore duhet të merret përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet vendit dhe Serbisë fqinje.

Lajme të ngjashme