Bllokada që po zbraz xhepat: Politika në ngërç, jeta afro 9% më e shtrenjtë për kosovarët - NACIONALE

Bllokada që po zbraz xhepat: Politika në ngërç, jeta afro 9% më e shtrenjtë për kosovarët

5 orë më parë

nga NACIONALE

Një buxhet prej 500 eurosh në shkurt 2025 duhej të arrinte në rreth 544 euro në korrik 2026 për të ruajtur të njëjtën fuqi blerëse, sipas indeksit të përgjithshëm të çmimeve në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe të krizës institucionale, një shumë parash e pandryshuar humbi rreth 8,05% të fuqisë blerëse.

Kjo është përmasa ekonomike e një periudhe politike që filloi me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 dhe vazhdoi mes përpjekjeve për formimin e institucioneve, një qeverie me jetë të shkurtër në mandat të plotë dhe zgjedhjeve të tjera. Analiza e raporteve mujore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, së bashku me serinë e krahasueshme të publikuar nga Eurostat, nxjerr rreth 8,75% inflacion kumulativ nga shkurti 2025 deri në korrik 2026.

Pas kësaj mesatareje qëndrojnë dallime të mëdha mes kategorive. Shpenzimet për banesën, energjinë dhe transportin u rritën më shpejt se ushqimi në tërësi, ndërsa disa produkte ushqimore u shtrenjtuan dukshëm më shumë se të tjerat. Për familjet me buxhet të kufizuar, këto dallime përcaktojnë se sa e rëndë ndihet rritja e kostos së jetesës.

Në muajt e parë pas zgjedhjeve të vitit 2025, rritja e çmimeve ishte më e ngadalshme. Raporti fillestar i ASK-së shënonte inflacion vjetor prej 1,7% në shkurt, ndërsa deri në qershor ai kishte arritur në 4,3%. Përshpejtimi vazhdoi gjatë pjesës së dytë të vitit: në tetor norma arriti në 5,1%, kurse në dhjetor në 5,3%. Mesatarja e inflacionit për gjithë vitin 2025 ishte 3,9%.

Në vitin 2026, presioni u shtua. Në janar, çmimet u rritën me 1,2% vetëm brenda një muaji, ndërsa në mars me 1,5%. Inflacioni vjetor arriti pikën më të lartë të periudhës së analizuar në prill, me 7,5%.

Në maj dhe qershor, çmimet ranë lehtë, përkatësisht me 0,4% dhe 0,1%, por këto ulje nuk e zhbënë shtrenjtimin e grumbulluar. Në korrik ato u rritën sërish me 0,6% krahasuar me qershorin, ndërsa inflacioni vjetor arriti në 6,5%.

Produktet bazike

Shumë prej mallrave dhe shërbimeve të përditshme mbetën dukshëm më të shtrenjta.

Ushqimet dhe pijet joalkoolike u shtrenjtuan në total rreth 6,35% nga shkurti 2025 deri në korrik 2026. Brenda këtij grupi, mishi ishte 9,1% më i shtrenjtë se në korrik të vitit paraprak, ndërsa rritja kumulative gjatë gjithë periudhës së analizuar arriti në rreth 17,37%.

Megjithatë, ushqimet nuk ndoqën të gjitha të njëjtin drejtim. Grupi i qumështit, produkteve të qumështit dhe vezëve ishte rreth 1,09% më poshtë se në shkurt 2025, ndërsa perimet rreth 7,15% më poshtë.

Goditje e fortë erdhi nga shpenzimet për banesën dhe energjinë. Grupi i strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse shënoi rritje vjetore prej 15,2% në prill 2026. Edhe në korrik, kjo rritje mbeti e lartë, në 11,1%.

Drutë e zjarrit, peleti dhe lëndët e tjera të ngurta për ngrohje ishin 18,1% më të shtrenjta në korrik 2026 se një vit më parë. Ndërsa furnizimi me ujë dhe shërbimet e tjera që lidhen me banesën u shtrenjtuan rreth 33,54% nga shkurti 2025 deri në korrik 2026. Kjo kategori përfshin më shumë se vetëm pagesën për ujë.

Edhe transporti u bë dukshëm më i kushtueshëm. Në korrik 2026, çmimet në këtë grup ishin 17,8% më të larta se në korrik të vitit të kaluar. Një prej goditjeve më të mëdha erdhi në mars, kur raporti i ASK-së regjistroi rritje prej 25,8% të karburanteve dhe lubrifikantëve për transportin personal vetëm brenda një muaji.

Paralajmërimet për muajt e ardhshëm

Vlerësimet institucionale tregojnë se presioni nga çmimet mund të vazhdojë edhe gjatë pjesës së mbetur të vitit.

Në vlerësimin e publikuar në prill, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikonte inflacion mesatar prej 5,9% për Kosovën gjatë vitit 2026.

Banka Qendrore e Kosovës, ndërkaq, e përsëriti në raportin e publikuar në korrik parashikimin e prillit për inflacion mesatar prej 6,7%, duke paralajmëruar se pasiguritë ishin shtuar dhe rreziqet anonin drejt një norme edhe më të lartë. BQK-ja evidentoi gjithashtu tkurrje të konsumit privat në tremujorin e parë të vitit 2026.

Rreziqet lidhen veçanërisht me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe ushqimit. Me afrimin e dimrit, familjet përballen edhe me rritjen sezonale të nevojave për ngrohje, çka e bën buxhetin e tyre më të ndjeshëm ndaj shtrenjtimit të energjisë.

Lajme të ngjashme