Blinken: Nuk duam kthim të konflikteve në Ballkan, dërguam trupa shtesë në Kosovë
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka konfirmuar se gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel është folur edhe për Ballkanin Perëndimor.
Sipas “REL”, ai ka thënë se kanë qenë të shqetësuar për Ballkanin, dhe nuk duan një kthim të konflikteve në rajon.
“Kur kam nisur këtë karrierë, në qendër të shqetësimeve tona ka qenë Ballkani. Në qendër të shqetësimit tonë dhe të shqetësimeve të shteteve në mbarë botën, veçmas në zonën transatlantike, ishte Ballkani, Bosnja dhe më pas Kosova. Një gjë që ne nuk duam të ndodhë në të ardhmen është kthimi i konflikteve në Ballkan. NATO ka luajtur rol kyç që të ndihmojë shtetet e rajonit të bëjnë përparim në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në stabilitetin më të gjerë evropian.” – u shpreh ai.
Duke folur për sulmet në veri të Kosovës, Blinken u shpreh që NATO është përgjigjur me vendosmëri ndaj akterëve që synuan destabilizimin.
“Aleanca është përgjigjur me vendosmëri ndaj aktorëve që synojnë të destabilizojnë veriun e Kosovës. Siç e kemi edhe më herët gjatë këtij viti, me kemi dislokuar trupa shtesë në [misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë] KFOR. Po ashtu kemi thelluar bashkëpunimin tonë me forcën e udhëhequr nga Bashkimi Evropian në Bosnje e Hercegovinë. Kjo po ashtu ishte pjesë e rëndësishme e bisedës sonë gjatë këtyre dy ditëve.” – ka thënë ai.