Blinken: Kryetarët në veri të kryejnë detyrat e përkohshme në tjera ndërtesa dhe të largohen forcat policore
Qeveria e Kosovës t’u gjejë kryetarëve të rinj në tri komunat veriore ndërtesa alternative për të kryer detyrat e tyre të përkohshme si dhe të largojë forcat e saj policore nga afërsia e atyre ndërtesave të komunave, ka kërkuar Sekretari amerikan i Shtetit përmes një komunikate të botuar në Departamentin amerikan të Shtetit, derisa sërish fajësoi Qeverinë e Kosovës për vendimin e saj për të marrë me forcë godinat zyrtare komunale, gjë që, siç thotë ai, ngritën ashpërsisht dhe panevojshëm tensionet. Në anën tjetër, Blinken dënoi fuqishëm sulmin ndaj forcës paqeruajtëse të NATO’s në Kosovë, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve nga protestuesit e dhunshëm ndërsa u kërkoi serbëve lokalë të mos sfidojnë KFOR’in. Serbisë, në anën tjetër, i kërkoi uljen e gatishmërisë ushtarake të urdhëruar nga e premtja nga Presidenti i Serbisë.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet. Shtetet e Bashkuara dënojnë dhunën e papranueshme dje kundër trupave të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, forcave të rendit dhe gazetarëve. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale përshkallëzoi tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia. Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t'u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidat ndaj KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”, shkruhet në komunikatën e Departamentit amerikan të Shtetit.
“Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet menjëherë të angazhohen në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve”, përfundon komunikata.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, gjithashtu përmes një cicërime në Twitter ka dënuar sulmin që ngjau të hënën nga protestues të dhunës ndaj forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, ku mbetën dhjetëra të lënduar. Mes tjerash, Sekretari i Shtetit u kërkoi Kosovës dhe Serbisë shtensionim të situatës dhe rikthim në tryezën të Dialogut për normalizim të marrëdhënieve.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë fuqishëm sulmin e djeshëm ndaj KFOR’it të NATO’s në Kosovë, dhe nxisin palët për të marrë hapa të menjëhershëm për të de-eskaluar tensionet dhe të ripërkushtohen në bisedimet për normalizim të udhëhequra nga BE”, shkroi Blinken në Twitter.
The United States strongly condemns yesterday’s attacks against @NATO led Kosovo Force (KFOR) peacekeepers, and urges both sides to take immediate actions to de-escalate tensions and to recommit to EU-led normalization talks.
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) May 30, 2023