Blerja e Twitter-it nga Elon Musk është e çuditshme, kaotike, dhe paksa e mrekullueshme
Kushdo që është jashtëzakonisht i sigurt se si do të funksionojë kjo gjë, nuk e di se për çfarë po flasin.
Autor: Derek Thompson
Thënë të vërtetën, ende nuk mund ta besoj se kjo ka ndodhur. Më herët sot, Twitter pranoi ofertën e Elon Musk prej 44 miliardë dollarësh për të blerë kompaninë dhe për ta bërë atë private. Në një nga blerjet më të mëdha dhe më të çuditshme të teknologjisë të kohës së fundit, Musk luftoi ndaj kundërshtimeve dhe dekurajimeve për blerjen e shërbimit të mediave sociale.
Lajmet për marrëveshjen kanë polarizuar përdoruesit dhe punonjësit e Twitter. Si do ta transformojë Musk rrjetin social duke mbetur shef ekzekutiv i Tesla dhe SpaceX? A do të rrisin gjithashtu dezinformimin dhe abuzimin në platformë premtimet e tij për të mbrojtur fjalën e lirë? Dhe, a po kthehet Donald Trump?
Këtu janë disa përgjigje krejtësisht të pastrukturuara për këto pyetje, rastësia e të cilave shpresoj të kapë në mënyrë adekuate hutimin që ndiej ende për këtë lajm.
- Askush nuk e di motivimin e vërtetë të Musk.
Në plan të gjerë, ajo që ndodhi është se një ekzekutiv i makinave dhe raketave, i cili bëri emër në pagesat dixhitale, bleu një faqe interneti ku njerëzit i bërtasin njëri-tjetrit për lajmet. Kushdo që është jashtëzakonisht i sigurt se si do të funksionojë kjo, nuk e di se për çfarë po flasin.
Musk është një ekzekutiv i shkëlqyer. Një nga kompanitë e tij teknologjikisht e kaloi NASA-n, kurse njëkohësisht, projekti tjetër i tij u bë kompania më e vlefshme e makinave në botë. Mirëpo zgjidhja e Twitter-it - hapja e vlerës së përmbajtjes së tij, hapja e dyerve për fjalën e lirë, kufizimi i abuzimit, të gjitha këto, duke i bërë të lumtur përdoruesit e vazhdueshëm, si në të majtën ekstreme ashtu edhe në të djathtën ekstreme - është një sfidë krejt ndryshe. Një CEO i teknologjisë informative që zgjedh të vendoset në krye të një rrjeti kaotik të rrjeteve sociale është si zbutësi më i talentuar i luanëve në botë që paguan për t'u mbyllur brenda një akuariumi peshkaqenësh me peshkaqenin më të rrezikshëm. Përse do t'ia bënte dikush vetes këtë? Prisni, jo, ndoshta ai vërtet e di se çfarë bën? Apo ndoshta peshkaqeni do t hajë atë menjëherë? Gjithçka është e mundshme këtu.
- Le të jemi të sinqertë: blerja e Twitter nga Musk mund të jetë gjë e mirë për Twitter.
Në Twitter, ka pak ndëshkim social për negativitetin këmbëngulës. (Kur paguheni për të ndjekur një cikël lajmesh që bën ping-pong mes autoritarizmit, pandemisë dhe luftës, "negativiteti këmbëngulës" vjen natyrshëm nga thjesht kushtimi i vëmendjes.) Por kjo anësi e zymtë mund t'i paragjykojë gazetarët që të mos shohin se si, nganjëherë, jo gjithçka rezulton maksimalisht keq. Pra, ndërsa e gjithë shtrirja ime kohore në Twitter është e mbushur me njerëz që parashikojnë fatkeqësi dhe kërcënojnë të largohen nga shërbimi në shenjë proteste, unë dua të kaloj pak kohë duke përshkruar pse mendoj se blerja e Twitter nga Musk mund të jetë në të vërtetë gjë e mirë.
Twitter është një nga produktet më të rëndësishme në hapësirën e informacionit. Në diskursin e lajmeve, Twitter është shumë shpesh një pipëz që përzien pijen. Mirëpo është një biznes i tmerrshëm, i cili ka humbur 861 milionë dollarë si një firmë publike dhe ka raportuar fitim në më pak se gjysmën e fitimeve të saj që kur doli në publik në vitin 2013. Është gjithashtu çuditërisht i ngathët sa i përket inovacionit. Funksionaliteti i mesazheve të drejtpërdrejta është përditësuar shumë pak. Seksioni "Temat aktuale" është pjesa më e çuditshme në internet, ku bëhen përpjekje të çuditshme këmbëngulëse për të më shtyrë që unë të mësoj më shumë rreth pamjes së Zendaya-s në tapetin e kuq.
Pse është një biznes kaq i keq? Nuk jam i sigurt, saktësisht. Por merrni parasysh faktin se, në nivelin e bordit të drejtorëve, Twitter në thelb drejtohet nga një grup njerëzish që nuk e përdorin kurrë Twitter. Nëse do t'ju thosha se një restorant drejtohej nga kuzhinierë që nuk e shijojnë kurrë ushqimin e vet, ju do të mund të thoni diçka si "Duket sikur mund të ketë shumë probleme me ushqimin" ose "Vë bast që konsumatorët ankohen vazhdimisht për të" ose "Mendoj se kërkesat e përsëritura për të ndryshuar menunë priten me indiferencë relative" dhe e gjithë kjo është pak a shumë e vërtetë me Twitter.
Nuk dua të them që asnjë inxhinier dhe menaxher të Twitter-it janë në Twitter. Shumë prej tyre janë, dhe unë i njoh disa prej tyre personalisht, dhe ata janë fantastikë. Mendimi im është se lidershipi i korporatës ka rëndësi, dhe mund të jetë mirë që të ketë dikë që kujdeset me dashuri që Twitter të jetë në krye të Twitter, nëse për asnjë arsye tjetër veçse të bëjë diçka në lidhje me atë seskion të tmerrshëm Temat aktuale. Dashuria e Musk për Twitter nuk vihet në dyshim. Aftësia e tij për ta shndërruar atë dashuri në përditësime të mrekullueshme të aplikacioneve për përdoruesit e fuqishëm është më pak e sigurt.
- Efektet politike të marrjes së Twitter nga Musk do të jenë vërtet interesante.
Kur Twitter e ndaloi nga përdorimi Presidentin e atëhershëm, Donald Trump, në janar 2021, ishte diç e paprecedentë. Ja disa pyetje madhore në lidhje me Trump dhe një Twitter të kontrolluar nga Musk:
Po sikur Donald Trump të lejohet të kthehet në Twitter? A i jep kjo një avantazh në vitin 2024, duke qenë në gjendje të marrë më shumë vëmendje nga ne? Apo prania e Trump e bën tmerrin e tij më të spikatur në mendjet e të moderuarve, duke shtyrë më shumë njerëz larg Partisë Republikane?
Dhe çfarë nëse Donald Trump ftohet përsëri në Twitter, por refuzon të kthehet? A i bën kjo Musk-in dhe Trump-in armiq? Po sikur konservatorët që kthehen në Twitter të bëjnë të shpërthejë vlera e mediumit të Trump, SPAC? A e bën rivaliteti Musk-Trump Musk-un papritmas liberal? Nëse Trump e sheh Twitterin e Musk si një kërcënim për SPAC-në e tij, a do t'i udhëheqë ai konservatorët kundër të gjithë portofolios së korporatës së Musk? A do të reduktonte kjo kërkesën për automjete elektrike mes konservatorëve?
Pra e kuptoni çfarë dua të them. Të drejtosh një kompani të mediave sociale në vitin 2022 do të thotë të marrësh me tonelata përçmim që grumbullohen për çdo minutë të jetës suaj. Musk mund ta ketë ngarkuar veten me një sasi të papërshtatshme të vështrimit politik, për një djalë që ka punuar dhe vazhdon të punojë me qeverinë federale.
- Dhe pastaj është çështja e abuzimit.
Pikëpamja ime optimiste për Twitter në thelb zbret në këtë. Twitter mund të jetë shumë më i mirë: Ka më shumë fruta të kapshme sesa mendoni. Dhe Elon Musk në fakt përdor dhe pëlqen Twitter, gjë që e bën atë një kandidat të mirë për të rregulluar ato probleme.
Pikëpamja ime pesimiste për Twitter-in në thelb zbret në këtë: nuk jam i sigurt se si do të duken planet e Musk për "moderimi i lehtë i përmbajtjes". Por drejtimi i një faqeje të mediave sociale duket se është diçka si të kujdesesh për një kopsht, përveç se kopshti është sa madhësia e Australisë dhe ka barëra të dëmshme që rriten nga një metër në sekondë në të gjitha anët.
Nuk e di se çfarë do të bëjë Musk për të ndryshuar normat rreth të shprehurit ekstremist dhe abuzimit. Por duke pasur parasysh reputacionin e Musk, unë mendoj se ekstremizmi dhe abuzimi do të bëhen edhe më të spikatur nën udhëheqjen e tij. Si rezultat, nëse Twitter në fakt redukton abuzimin, mendoj se në muajt e ardhshëm do të dëgjojmë më shumë për abuzimin që ka qenë gjithmonë aty. Thënë ndryshe: shumë njerëz e urrejnë vërtet Elon Musk, dhe ata do të jenë zë kritik për atë se sa i tmerrshëm po bëhet Twitter – ose ka qenë gjithmonë.
- Njerëzit janë të padurueshëm.
Elon Musk ka dëshmuar se është një sipërmarrës dhe biznesmen i jashtëzakonshëm në fushën e pagesave dixhitale, automjeteve elektrike dhe fluturimeve në hapësirë. Por mediat sociale janë shumë më ndryshe se nga ato gjëra. Me PayPal, produkti është paraja. Me Tesla, produkti janë makinat. Me SpaceX, produkti është raketa. Por me Twitter, produkti janë njerëzit.
Transfertat e parave, makinat dhe raketat i përgjigjen aftësive inxhinierike. Njerëzit janë të vështirë. Njerëzit janë të tmerrshë, janë të shkëlqyeshëm, të çuditshëm, të këqij, dhe të zgjuar e mashtrues. Njerëzit të kundërpërgjigjen në një mënyrë që nuk e bëjnë softueri dhe hardueri. Pra, megjithëse besimi im në Musk si një ekzekutiv strategjik është i paparë, unë parashikoj që Elon Musk do të dështojë si pronar i Twitter. Dhjetë vjet nga tani, kur mendoj se ai nuk do të jetë më udhëheqësi i Twitter-it, rrëfimi i teknologjisë së shekullit të 21-të do të zhvendoset nga "Softueri është i lehtë; hardueri është i vështirë" në "Softueri është i lehtë, hardueri është më i vështirë dhe njerëzit janë të padurueshëm".
Shkrimi është marrë nga theatlantic.com, përkthyer nga Nacionale.