Bjellorusia thotë se ushtria ukrainase ka grumbulluar grupe në kufi që po e rrezikojnë
Bjellorusia tha të martën se ka grupim të konsiderueshëm të trupave ukrainase afër kufirit të saj.
Ky shtet paralajmëroi se ky veprim i vendit fqinj paraqet kërcënim për sigurinë e Bjellorusisë, raporton agjencia “Reuters”.
“Tash për tash, një grupim i konsiderueshëm i ushtrisë ukrainase është i përqendruar menjëherë në afërsi të sektorit bjelloruso-ukrainas të kufirit shtetëror”- thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes të Bjellorusisë.
“Mundësia për provokime të armatosura, të cilat mund të eskalojnë në incidente kufitare, ka qenë e lartë për kohë të gjatë”- thuhet më tej.
Agjencia “Reuters” nuk ka pasur mundësi që ta vërtetojë situatën në kufirin mes dy vendeve që kanë pasur tensione për shkak të përkrahjes që Bjellorusia ia ka dhënë Rusisë gjatë luftës në Ukrainë.
