Tri kushte për Asociacionin, apo gjashtë? Deklarata e Bislimit në Bruksel shkakton huti
Përtej krenarive e fjalëve të mëdha që thonë përkrahësit e kryeministrit Kurti dhe Vetëvendosjes, diskutimet lidhur me Planin e Zbatimit të projektit franko-gjerman kanë vazhduar. Kjo me Asociacionin si një nga pikat më problematike.
Gjatë ditës së djeshme zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, u takua me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Një ditë pasi Kurti e Vuçiq dhanë dritën e gjelbër për planin evropian, detaje të tjera janë diskutuar nga vartësi i Kurtit për dialog, Besnik Bislimi.
Këtë e konfirmoi diplomati sllovak përmes një cicërime në rrjetin social "Twitter", teksa shtoi se po bëhen gati për takimin e radhës të nivelit të lartë.
"Pas takimit të nivelit të lartë që u mbajtë dje, Zëvendës-Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit dhe unë duke u koordinuar për hapat e mëtutjeshëm dhe takimin e radhës. U pajtuam për rëndësinë e marrëveshjes në modalitetet e implementimit dhe atë të implementimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog", shkroi tutje ai.
Ky takim erdhi pak orë pasi zv/kryeministri Bislimi iu drejtua Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian. Aty Bislimi përmendi tri kushte për dialog, e jo gjashtë sa deklaronte Kurti në Kuvendin e Kosovës ditë më parë.
“Asociacioni duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës, duhet të jetë në përputhje me qëndrimet e BE-së se nuk mund të ketë fuqi ekzekutive, siç është thënë në letrën që ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federika Mogherini, ia kishte dërguar atëbotë kryeministrit të Kosovës. Së treti, që Asociacioni të mos paraqesë nivelin e tretë të pushtetit”, u shpreh ai.
Kjo deklaratë e Bislimit nxiti shumë reagime. Demush Shaha nga Instituti EPIK u shpreh i habitur që nga gjashtë kushte, mbetën tri.
“Kur kam thënë se gjashtë kushtet e Kurtit do ti harrojmë shpejt nuk kam menduar se do ti harrojmë kaq shpejt. Nga gjashtë qenkan bërë tre tani. Me këtë ritëm shumë shpejt do të mbetet një kusht. Dhe në fakt ashtu edhe duhet të jetë. Nëse lexoni qoftë ato gjashtë kushte të Kurtit apo këto tre kushte të Bislimit ato janë në thelb një kusht i vetëm: zbatimi i vendimit të gjykatës Kushtetutese”, shkroi Shasha.
Kjo deklaratë e Bislimit nxiti reagime edhe nga partitë në opozitë e njohës të procesit të dialogut.
SHBA insiston për Asociacionin
Departamenti Amerikan i Shtetit me një komunikatë dje, e ka përsëritur kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës për krijimin e Asociacionit.
Veç kësaj, në komunikatën respektive thuhet se themelimi i Asociacionit është kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një shtet sovarn e multientik.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin bisedimet e liderëve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja më 27 shkurt dhe mbështesin fuqishëm procesin e normalizimit të marrëdhënieve të tyre. Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë”
“Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së. Progresi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”, thuhet në njoftimin e DASH-it.
Edhe i dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka konfirmuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes bazë, për të cilën kryeministri Albin Kurti dha dje përkrahje, derisa shtoi se ka kuptim nga pala kosovare për këtë çështje.
Në një komunikim me gazetarët, Escobar ka thënë se është obligim që Asociacioni të implementohet dhe se ka pritshmëri të mëdha se një gjë e tillë do të ndodhë.
“Është një obligim ndërkombëtar që duhet të implementohet. Kjo është në marrëveshjen e Brukselit, në këtë marrëveshje (në planin evropian), në konkluzat e Këshillit Evorpian dhe është pjesë e politikës amerikane. Ka pritshmëri se do të formohet, për të ecur përpara. Pozicioni është që duhet të formohet në një mënyrë që përbën fitore për të dyja palët, që të dyja palët të gjejnë kanale bashkëpunimi, për popullatën që ka shtetësi të dyfishtë. Është pritshmëri e madhe e jona që do të implementohet.” – tha ai.
Diplomati i lartë amerikan ka thënë se ka kuptim nga pala kosovare se Asociacioni duhet të formohet, ndërsa theksoi se “pyetja tani është se sa shpejt do të ndodhë dhe se sa shpejt do ta pranojë Qeveria e Kosovës”.
“Kjo është, siç e thash, obligim, është në marrëveshjen e Brukselit, në marrëveshjen bazë, është pjesë e politikave të vendeve, ky është një realitet, ëshë fakt objektiv se çfarë po kërkohet nga Kosova që të ecë përpara në procesin evropian. Pyetja është se sa shpejt do të ndodhë, dhe se sa shpejt Qeveria e Kosovës do ta pranojë këtë obligim. Kam besim që me këtë marrëveshje dhe pajtimi që u bë dje, ka kuptim nga pala kosovare që duhet të bëhet.” – tha ai.
Takimi i radhës Kurti-Vuçiq do të mbahet më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.

