Bislimi s’flet për marrëveshjen për të pagjeturit: Publikohet në takimin Kurti-Vuçiq - NACIONALE

Bislimi s’flet për marrëveshjen për të pagjeturit: Publikohet në takimin Kurti-Vuçiq

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryenegociatori në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi pas takimit të djeshëm në Bruksel me homologun e tij serb, Petar Petkoviq, ka folur në lidhje me këto diskutime, ku e ka përmendur edhe marrëveshjen për të pagjeturit. Çka tha ai?

Bislimi në “Kallxo” ka deklaruar se kanë diskutuar për hapat që duhet të ndërmerren në ditët në vijim, derisa tregoi se është propozuar edhe një princip nga emisari, Mirsolav Lajçak.

“Në pjesën e parë, pjesa më e madhe ka pasur me hapat që duhet ë ndërmerren ditët, javët, muajt në vijim, që burojnë nga marrëveshja dhe aneksi. Kemi diskutu për sekuencimin, është propozuar një princip sipas të cilit nuk mund të fillohet implementohet fillimi i të gjitha pikave, por ideja e z.Lajçalk është që të ketë sekuencim ku njëra palë bën diçka, pastaj pala tjetër.” – tha ai.

Sa i përket marrëveshjes për të pagjeturit, Bislimi ka thënë se kanë pasur një dakordim mbi 95 për qind, pasi kryeministri Kurti kishte pranuar të nënshkruante dokumentin.

“Te marrëveshja për të pagjeturit, ne veç kemi pasë një dakordim thuajse mbi 95 për qind, kur në fund të bisedimeve z.Kurti kishte pranuar të nënshkruante dokumentin. Kemi vërejt më pas tërheqjen e z.Vuçiq. Pastaj, ka ardhë një dokument i modifikuar nga z.Lajçak në shtator, dje mbi këtë document kemi diskutu.” – tha ai.

Bislimi ende s’e ka përmendur termin “me dhunë” që nga Serbia po pretendohet se është larguar nga deklarata ku thuhet “të zhdukur me dhunë”.

Madje, ai ka thënë se sot nuk mund të publikojë diçka nga përmbajtja e dokumenteve, dhe se kjo do të bëhet e ditur në takimin e radhës të liderëve.

“Nuk është sekrete, publikohet në takimin e radhës të liderëve... Unë dhe z.Petkoviq dhe z.Lajçak kemi konsoliduar përmbajtjen e dokumenteve. Në fakt konsolidimin e mirëfilltë e ka bërë z.Hoti, që ka qenë me neve. Ne jemi kujdesur që të dakordohemi për konceptin e konsoliduar.” – tha ai.

Çka po deklaron Serbia?

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq siç raportuan mediat serbe, ka deklaruar sot se në tekstin e Deklaratës për Personat e Zhdukurështë hequr termi “zhdukje me forcë”.

Petkoviq ka pretenduar se një gjë e tillë ka ndodhur “falë përpjekjeve të Beogradit”.

Petkoviq citohet të ketë thënë se në vend të atij termi, është miratuar termi “i zhdukur me forcë”, që nuk është kategori juridike dhe nuk gjendet në konventa ndërkombëtare, por vetëm përshkruan rrethanat në të cilat ka ndodhur zhdukja.

“Përveç politizimit të dukshëm të kësaj teme tejet humane, është e kuptueshme edhe pakënaqësia e Prishtinës, e cila dështoi në planin e saj për të akuzuar Serbinë për të gjitha rastet e zhdukjeve në Kosovë dhe për t'ia atribuar Beogradit krimet e UÇK-së i cili ishte qëllimi i tyre që në fillim, të cilin e pamë dhe e penguam.” – ka thënë ai.

Postimi i Andin Hotit

Kryetar i Komisionit qeveritar për personat e pagjetur, Andin Hoti, nuk ka treguar në mënyrë të qartë se çka janë pajtuar Kosova dhe Serbia dje në Bruksel në lidhje me personat e zhdukur gjatë luftës. Për këtë çështje, ai ka fshirë një status duke e ndërruar me një tjetër.

Fillimisht, Hoti ka shkruar se Serbia e ka pranuar “deklaratën për personat e zhdukur me dhunë”.

Dje, pas më shumë se 1 vit negocimi në Bruksel, Serbia më në fund pranoi deklaratën për personat e zhdukur me dhunë (e cila pritet të miratohet nga Kryeministri Kurti dhe Vuçiq në ditët në vijim).” – tha ai në shkrimin e parë.

Në të dytin, pasi e fshiu të parin, tha Serbia ka pranuar deklaratën për personat e zhdukur.

Dje, pas më shumë se 1 vit negocimi në Bruksel, Serbia më në fund pranoi deklaratën për personat e zhdukur (e cila pritet të miratohet nga Kryeministri Kurti dhe Vuçiq në ditët në vijim). Për herë të parë pas shumë sfidave dhe pas 24 vitesh arritem ta imponojmë adresimin e drejtë të përgjegjesisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare. Prandaj më nuk do të ketë vetëm persona të zhdukur, por persona të zhdukur me dhunë nga shteti serb.Gjithashtu, më duhet të theksoj si tepër të rëndësishmë, që me anë të kësaj deklarate Serbia detyrohet të marrë përsipër hapjen e arkivave dhe prezentimin e dokumentave serkrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë.” - ka shkruar Hoti.

Lajme të ngjashme