Bislimi mburret me MSA-në e 2016’ës që VV e jepte terr-e-zi, Mustafa: “Ishte kohë e artë e përkrahjes ndërkombëtare”
“Ashtu siç e do Serbia...”
Me këtë adazhe të veten Vetëvendosja dy herë lëshoi sallën, votoi kundër dhe artikulonte një mal akuzash drejt qeverisë kosovare për marrëveshjen e parë kontraktuale të Kosovës shtet me Bashkimin Evropian: Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit.
Glauk Konjufca, asokohe shef i grupit parlamentar, e pikturonte terr-e-zi këtë kontratë të parë të Kosovës tetë vjet pas pavarësisë me unionin njëzet e shtatë shtetësh evropian.
“MSA-ja erdhi veç për një arsye, për shkak të marrëveshjes me Serbinë...e aty Zajednica”, ligjëronte Konjufca para deputetëve të cilët e ratifikuan me 86 vota MSA-në.
“Kushti i saj bazik është kuadri i marrëveshjeve me Serbinë...Kosova me Zajednicë do të ketë dy nivele të pushtetit...overturë e bosnjëzimit”, vazhdonte Konjufca – prill 2016.
Fast-forward nëntor 2024...
Afro nëntë vite më vonë, Zëvendës Kryeministri për Integrime Evropiane, Besnik Bislimi, i pagoi më në fund tributin meritor kësaj arritjeje.
Gjatë një qëndrimi në Poloni u pyet se si paramendon t’ia del Kosova të merr status të vendit kandidat – i.e formularin/pyetësorin – duke qenë se janë pesë vende mosnjohëse: e në BE vendimet merren me unanimitet
Pa merak, Bislimi rikujtoi 2016’ën...dhe arritjen e qeverisë kosovare për të krijuar pajtim të përgjitshëm – konsensus – në mesin e të gjithë vendeve anëtare.
Në “TVP World” Bislimi ktheu trakën:
“Ne i kuptojmë ndërlikimet e brendshme të këtyre vendeve që ua kanë krijuar këtë ambient (disponim) që të mbajnë këtë qëndrim...”
“Sidoqoftë, sa për t’ju informuar, në vitin 2016 të gjitha vendet e BE-së ishin në gjendje të ndërtonin konsensus (pajtim të përgjithshëm) në lidhje me dallimet që kishin për mosnjohjen e Kosovës, si konsensus për ta lejuar Kosovën të ec para në rrugën e BE-së”, u shpreh Besnik Bislimi.
E m’u kjo marrëveshje – aq shumë e kritikuar nga VV – Bislimi tha se është çelësi.
“Dhe, ky konsensus na ndihmoi të nënshkruajmë Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në që nënkuptonte që Kosova megjithatë mund të përmirësojë cilësinë e institucioneve të saj, që ekonomia mund të përmirësojë standardin e jetesës (...)
"(...) dhe tash jemi në vitin e 8’të të zbatimit të saj; e që do të thotë që sot ne jemi shumë më mirë të përgatitur për të hapur kapituj (të anëtarësimit në BE) se sa cilido vend tjetër që ka hyrë në BE në këto 20 vitet e fundit...”
“Presim që Polonia të luajë rol vendimtar gjatë presidencës së saj (të Këshillit të BE-së)...që t’i bind vendet që Kosova të marrë pyetësorin (për të marrë statusin e vendit kandidat për BE)”, përfundoi Besnik Bislimi.
Për këtë deklarim të Bislimit, kontaktuam kryeministrin e asokohe Isa Mustafa; i cili e kthen në retrospektivë për ta peshar me Vetëvendosjen sot, dhe të qëndruarit e vendit në rrafshin euro-atlantik.
“Ishte një kohë e artë e bashkëpunimit dhe përkrahjes ndërkombëtare”, tha Isa Mustafa në një përgjigje me shkrim për ‘Nacionale’-n, duke e vendosur atë në kontradistinksion me qeverisjen aktuale, e cila në rrafshin e sanksioneve të BE-së e ka edhe pezullimin e grupeve punuese të MSA-së.
“Unë jam i lumtur që arritëm në vitin 2016 të nënshkruajmë marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian, MSA-në. Ajo u arrit me një bashkëpunim dhe përkrahje të të gjitha vendeve të BE-së”, tha Isa Mustafa.
“Mund të them se ishte një kohë e artë e bashkëpunimit dhe përkrahjes ndërkombëtare në kontrast të plotë me një atmosferë që i përngjante luftës civile të shkaktuar nga opozita e atëhershme”, vazhdoi ai.
“VV kundërshtoi marrëveshjen, tani është mirë që ia ka kuptuar vlerën, por duhet të thuhet se sanksionet e vendosura ndaj ‘qeverisë së Bislimit’ kapin edhe bashkëpunimin lidhur me MSA-në, që është dëm i madh për Kosovën”, përfundoi Isa Mustafa.