Bislimi e Sveçla me shpjegime të thjeshta për problemin kompleks të zgjedhjeve në veri: "Ka rënë Lista Serbe në sondazhe" - NACIONALE

Bislimi e Sveçla me shpjegime të thjeshta për problemin kompleks të zgjedhjeve në veri: "Ka rënë Lista Serbe në sondazhe"

3 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Tashmë kur të gjithë indikatorët tregojnë se zgjedhjet e shpallura për të dytën herë do të dështojnë për të dytën herë në pjesën veriore të vendit, kryesisht për shkak të bojkotit të Listës Serbe dhe thirrjes për bojkot edhe nga vetë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është provuar të jepet edhe një shpjegim nga autoritetet kosovare rreth këtij bojkoti. Shpjegimi s'ka se si të jetë më i thjeshtë dhe përkthehet kështu: Nuk po i duan qytetarët serbë atje më Listën Serbe.

“Lista Serbe ka humbur përkrahjen e qytetarëve serbë në Veri andaj edhe nuk dëshiron të futet në zgjedhje”. Ky është një pohim i rrehur ditëve të fundit nga Zëvendës Kryeministri Besnik Bislimi dhe Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla. Këto dy të fundit thonë të kenë parë sondazhe “kredibile” që ne nuk i kemi parë duke provuar të lënë të kuptohet se dinë diçka më shumë se të tjerët. Zgjedhjet do të mbahen gjithsesi, kanë thënë këta dy të fundit, duke shtuar se shteti i Kosovës “nuk guxon” t’i nënshtrohet asaj që ata e quajnë “shantazh të Listës Serbe”. Andaj – ndonëse nëpër kontenjerë e në pamundësi sigurimi të zgjedhjeve normale e të lira – zgjedhjet do të zhvillohen, sipas tyre.

“Pse një listë ndihet e rrezikuar nga sundimi i ligjit e humbja e përkrahur, ne nuk guxojmë të biem në shantazh të tyre. Nuk guxojmë të biem në shantazh, cka do të thotë, nuk mund të presim që Lista Serbe të na thotë a të mbajmë zgjedhje apo jo. Një nga arsyet që nuk janë për zgjedhje, është se brenda komunitetit që jeton atje kanë humbur mbështetjen, këtë e thonë sondazhet, sondazhe kredibile edhe ndërkombëtare. Lista Serbe ka humbur përkrahjen, unë kam qenë dje atje”, ka thënë Sveçla, gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane.

Sveçla, tha se “nuk ka asnjë arsye” që zgjedhjet të mos mbahen, e veçanërisht jo për shkak të Listës Serbe, ndonëse kjo e fundit ka rreth 90% të elektoratit në ato zona. “Është e qartë që segmente të caktuara të mbështetura nga Serbia, e refuzojnë sundimin e ligjit dhe demokracinë atje. Ne kemi obligim që qytetarëve t’u ofrojmë mundësinë për jetë të qetë dhe rregullim demokratik”, tha dje Sveçla.

Shpjegimi i fjetur i Bislimit...

“Zgjedhjet janë themel i demo-kracisë”, i thotë Bislimi Zërit të Amerikës pyetur se a mund të mbahen zgjedhjet në katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe, por dështon të tregojë nëse “demos”-i i atyre zonave do të dalë në votime për të konkretizuar “kracinë” komunale.

“Ka vullnet nga parti politike atje që të marrin pjesëmarrës në zgjedhje”, thotë ai, ndërkaq parti pakëz më e madhe është vetëm ajo e Aleksandar Jabllanoviq në Komunën e Leposaviqit, i cili ditë më parë në një intervistë për Nacionalen tha se e kanë të hapur çështjen edhe të mospjesëmarrjes në rast se ka numër të vogël votuesish dhe situatë jo normale të mbajtjes së zgjedhjeve. “Ky vullnet mungon nga vetëm një subjekt politik”, thotë ai, duke i dhënë një nënkuptim thuase ata qëndrojnë diku minimalisht në përkrahje qytetare në ato zona.

“Kanë parë rënien e madhe të besimit te qytetarët ata duan ta kamuflojnë përmes ikjes së mbajtjes së zgjedhjeve”, thotë ai, ndërsa për shtyrjen e zgjedhjeve thotë se “nuk është opsion i mirë”. Veç Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha Bislimi, kërkon shtyrjen e zgjedhjeve, ndërsa në mënyrë implicite e goditi edhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili ka bërë thirrje për shtyrjen e zgjedhjeve. “Është shumë gabim që zëra nga politika edhe në Kosovë i bashkohen kësaj narrative të Vuçiqit”, ka thënë ai.

Haradinaj, “këta janë eksperimentues, hajgare është kjo”

“Është hajgare çfarë po bëjnë këta”, tha një numër herësh Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një interviste në Rubikon.

“Do ta hupim ftyrën tonë, përsëri, se nëse rezultati është nën 10% i pjesëmarrjes, mos të bëjmë hajgare. Ne jemi duke e mashtruar veten jo dikë tjetër. Ka njëherë edhe aleatët tonë po të lëjnë me dështu për më te ta tregu venin. Me të zhvesë, tamam me të bë ashtu siç s’ke qef me qenë. Herën e parë ne kemi dështu, e kemi ngrit kryt kemi thanë ‘Na jemi shtet, kemi Kushtetutë, shpallim zgjedhje’. Mos m’e pas ardhë amerikani me të nxjerr, kishte mbet në të”, tha Haradinaj.

Haradinaj pati porosi të prerë për Kurtin: “Mos u ngut, mos puno anshëm në Veri, sepse nuk mundemi me kry ashtu sikur je ka don ti”. Haradinaj tha se në veçanti për çështjen e sigurisë në Veri, Kosova ka bashkëinvestim dhe bashkëaksionar, në rend të parë duke nënkuptuar ShBA-në. “Nuk guxon me çitë hapa vetëm. Nuk je i zoti me i zbatu krejt vetëm”.

Zgjedhjet në Stacion të Policisë? Kush të mban zgjedhje në stacion të policisë? Këto dy pyetje ua shtroi Haradinaj panelistëve, disa prej tyre të cilët i drejtoheshin në narracionin e Lëvizjes Vetëvendosjes. “Kush mban zgjedhje në stacion të policisë, veç diktaturat. Kush tjetër?”, pyeti ai.

Pyetur se si do të rezultojnë këto zgjedhje nëse vazhdohet kësisoji siç pandeh Bislimi e Svela, Haradinaj tha “nuk ka rezultat, kjo është hajgare dhe eksperiment”.

Lajme të ngjashme