Bilanci i PDK-së nën udhëheqjen e Memli Krasniqit: ku e mori dhe ku e la? - NACIONALE

Bilanci i PDK-së nën udhëheqjen e Memli Krasniqit: ku e mori dhe ku e la?

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Memli Krasniqi mori drejtimin e Partisë Demokratike të Kosovës më 3 korrik 2021, në një kohë kur partia ndodhej në pikën më të ulët të saj elektorale. Në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021, PDK kishte siguruar 148,285 vota, që përbënin rreth 17 për qind të votave – rezultati më i dobët në historinë e saj parlamentare.

Zoti Krasniqi u zgjodh kryetar i PDK-së më 3 korrik 2021. Para kësaj, pasi Gjykata e Specializuar konfirmoi aktakuzën më 5 nëntor 2020, Kadri Veseli dha dorëheqje dhe Kryesia e PDK-së e emëroi Enver Hoxhajn ushtrues detyre të kryetarit. Në deklarimin e tij të parë pas marrjes së pozitës, Krasniqi kishte deklarruar do të çojë përpara rrugën e trasuar nga ish-kryetarët Hashim Thaçi e Kadri Veseli në krye të PDK-së.

Gjatë katër viteve në krye të partisë, Krasniqi udhëhoqi një proces të brendshëm rindërtimi, me synimin për të ringjallur strukturat dhe për të rikthyer besimin e elektoratit tradicional.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, me kandidat Bedri Hamzën për kryeministër, PDK arriti një rimëkëmbje të dukshme, duke grumbulluar 196,474 vota ose 20.95 për qind, që i siguruan 24 ulëse në Kuvend. Krahasuar me vitin 2021, kjo shënon një rritje të qartë – afro 50 mijë vota më shumë dhe gati 4 pikë përqindje shtesë.

Në këto zgjedhje lokale, Krasniqi u përball me disa sfida të brendshme brenda degëve të PDK-së në disa komuna. Megjithatë, goditja e vërtetë erdhi nga Drenasi – bastioni tradicional dhe i padiskutueshëm i kësaj partie – ku PDK humbi kontrollin pas shumë vitesh. Ish-kryetari Ramiz Lladrovci, dikur nga radhët e PDK-së, mposhti kandidatin zyrtar të partisë, Petrit Hajdarin.

Dorëheqja e Krasniqit

Memli Krasniqi njoftoi sot dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së PDK-së.

Ai tha se vendimi “nuk është i nxitur nga zhvillimet e fundit”, por është rezultat i një reflektimi të gjatë për rinovim dhe hapësirë për energji të re brenda partisë. Ai deklaroi se largohet “me paqe dhe mirënjohje” dhe se beson se PDK do të ecë përpara.

Partia ka caktuar Kongresin zgjedhor për të hënën, 17 nëntor 2025, ku do të zgjidhet kryetari i ri. Ndër emrat që po përmenden si kandidatë potencialë janë Bedri Hamza, Sami Lushtaku dhe Agim Aliu. Vetë Krasniqi ka deklaruar publikisht se, në rast se Bedri Hamza kandidon, ai do ta mbështesë.

Hamza e vlerësoi lart punën e Krasniqit si kryetar i partisë, për "kontributin e madh që ka dhënë në udhëheqjen e PDK-së."

“Nuk gjej fjalë për ta falënderuar mikun tim, Memli Krasniqin, për kontributin e madh që ka dhënë në udhëheqjen e PDK-së. Me integritet, vendosmëri dhe përkushtim ndaj vlerave të përbashkëta, ai e drejtoi partinë në periudhat më të vështira.

Respekt dhe mirënjohje për bashkëpunimin korrekt dhe për gjithçka që ke bërë për PDK-në, miku im!

Sot, më shumë se kurrë, ne kemi nevojë të qëndrojmë të bashkuar, të përkushtuar dhe të vendosur përballë sfidave që na presin. Bashkimi, besimi dhe përkushtimi ynë i përbashkët janë forca më e madhe e PDK-së dhe garancia e suksesit tonë.”

Lajme të ngjashme