Bie nga funksioni blloku A5, përsëri
Njësia A5 e Termocentralit Kosova A ka rënë nga funksioni. Përsëri!
Kështu kanë thënë burime të Nacionales në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Dalja nga funksioni i bllokut A5 vjen vetëm nëntë ditë pasi u njoftua rikthimi i tij në punë.
“Po, ka rënë! Normal që bjen sepse riparimi i kaldajës ka ndodhur nga vetë punëtorët e KEK-ut!” – u shpreh burimi.
“Ata nuk janë të specializuar për këtë punë!” – shtoi tutje ai.
Hyrja në funksion
Ishte ministrja Artane Rizvanolli e cila do të njoftonte publikun për rikthimin e bllokut A5 në funksion.
“Punonjësit e Kosovës A më dhanë dhuratën më të mirë për ditëlindje: rikthimi i njoësisë A5 në operim.” – shkruante ministrja.
Ajo do të shpërndante në kuadër të postimit edhe disa fotografi festive.
Historia
Siç kishte mësuar Nacionale, blloku A5 kishte mbetur jashtë funksioni për periudhën më të gjatë në histori. Ai kishte dalë në funksioni më 21 korrik të vitit të kaluar, dhe do të rikthehej gati dhjetë muaj më vonë.
Pikërisht për çështje që kishin të bënin me bllokun A5, kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut Nagip Krasniqi, ishte pezulluar nga kjo pozitë pasi paraprakisht ndaj tij ishte ngritur aktakuzë dhe ishte marrë masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh.
Rënia nga funksioni kishte bërë që ministrja Rizvanolli të përmendte disa data për rikthimin e A5-shit.
Ishte përmendur fundi i vitit, dhjetori, ishte përmendur janari e kështu me radhë.
KEK deri tash nuk ka dalë me informacione zyrtare në lidhje me lajmin në fjalë.
Por, si e kishte lavdëruar pushteti z. Krasniqi, kryeshefin e suspenduar të KEK-ut? Lexojeni në pjesën e mëposhtme:

