Bideni e paralajmëron Iranin për sulmet në Siri: Përgatituni që të veprojmë fuqishëm
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka paralajmëruar Iranin se vendi i tij do të veprojë fuqishëm për t’i mbrojtur amerikanët, pasi ushtria e ShBA-së kreu sulme ajrore kundër forcave të përkrahura nga Irani si hakmarrje për një sulm në Siri.
“Mos bëni gabim: Shtetet e Bashkuara nuk... kërkojnë konflikt me Iranin, por përgatituni që ne të veprojmë fuqishëm për t’i mbrojtur njerëzit tanë”- tha presidenti amerikan para gazetarëve gjatë një vizite në Kanada.
Kur u pyet nëse duhet të jetë një kosto më e lartë për Iranin, ai u përgjigj: “Ne nuk do të ndalemi”, raporton gazeta “The Guardian”.
Zyrtarët kanë thënë se një ushtar amerikan u plagos në Siri të premten në sulmin e fundit hakmarrës mes forcave të përkrahura nga Irani e personelit të ShBA-së.
Plagosja ndodhi pas një sulmi të enjten, kur u vra një kontraktor amerikan dhe u plagosën pesë ushtarë të ShBA-së e një kontraktor tjetër. Uashingtoni ka thënë se një dron me prejardhje nga Irani është përdorur në këtë sulm.
Dy zyrtarë amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se duket që sistemi mbrojtës në bazë kishte dështuar. Një zyrtar amerikan tha se trupat në terren duket se nuk kishin kohë të mjaftueshme për të reaguar kundër dronit.
Edhe pse forcat amerikane në Siri janë sulmuar me dronë në të kaluarën, rastet fatale janë të rralla.
Dhuna mund t’i përkeqësojnë edhe më shumë marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes Uashingtonit e Teheranit, kur përpjekjet për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 mes Iranit e fuqive kryesore kanë ngecur dhe kur dronët iranianë po përdoren nga Rusia në Ukrainë.
Pentagoni ka thënë se aeroplanët F-15 të enjten sulmuan dy objekte të përdorura nga grupet e lidhura me Rojat Revolucionare të Iranit.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë që e përcjell luftën në Siri, tha se tetë luftëtarë pro-iranianë janë vrarë nga sulmet amerikane. Agjencia “Reuters” nuk ka mundur ta vërtetojë këtë numër në mënyrë të pavarur.
