Biden dhe krerët e BE-së me deklaratë: Kosova e Serbia ta zbatojnë shpejt marrëveshjen, të kthehen në dialog
Krerët e institucioneve të Bashkimit Evropian janë takuar sot me presidentin amerikan, Joe Biden në kuadër të samitit të 27-të, BE-ShBA. Tashmë është publikuar edhe deklarata e përbashkët nga takimi, ku përmenden edhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi.
Në deklaratën e publikuar thuhet se BE e ShBA kanë riafirmuar angazhimin për stabilitet në Ballkanin Perëndimor.
Kosovës dhe Serbisë, u është kërkuar që ta depërshkallëzojnë urgjentisht situatën, të zbatohen marrëveshjet dhe të kthehen në dialog.
“Ne riafirmojmë angazhimin tonë të përbashkët për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe mbështetjen tonë për perspektivën e BE-së të rajonit. Të gjithë partnerët duhet të vazhdojnë të bëjnë reformat e nevojshme për të përparuar në rrugën e tyre evropiane. Ne theksojmë nevojën që Kosova dhe Serbia të de-përshkallëzojnë urgjentisht tensionet dhe të zbatojnë me shpejtësi dhe pa kushte marrëveshjen në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve të tyre dhe kthimit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.” –thuhet në deklaratë.
Emisari amerikan e ata evropianë nesër në Kosovë
Veç një ditë pas kësaj deklarate, e këtij takimi, në Kosovë arrijnë emisari amerikan, Gabriel Escobar, ai evropian, Miroslav Lajçak dhe të dërguarit nga Franca, Gjermania e Italia.
Qeveria e Kosovës tashmë ka publikuar agjendën, ku bëhet e ditur se kryeministri Albin Kurti në orën 10:00 i pret për takim pesë emisarët.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e ShBA-ve, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë.” – thuhet në njoftim.
Se çka konkretisht do të ndodhë në takim nuk dihet, por dihet që kjo vizitë e tyre vjen pas tensionimit të raporteve mes dy vendeve dhe pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.
Para disa ditësh, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano dha pak detaje në lidhje me këtë vizitë:
“Qëllimi i kësaj vizite është për të arritur përparim konkret në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe shtensionimin pas zhvillimeve të fundit”.
