“Betimi për Drejtësi”: Arrestohet Faruk Mujka, dyshohet për korrupsion
“Betimi për Drejtësi” ka bërë me dije se kryeshefi ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka është arrestuar.
Duke u thirrur në burimet brenda prokurorisë, media në fjalë ka treguar se Mujka, i cili ka qenë zyrtar i lartë i VV-së, është arrestuar nën dyshime për korrupsion.
Veprën për të cilën është arrestuar dyshohet se Mujka e ka kryer gjatë kohës sa ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Mujka për një kohë të gjatë ka qenë edhe kryetar i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë.
Pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, Mujka e ka marrë në fund të vitit të kaluar.
Kohë me parë, Kallxo.com kishte raportuar se Mujka në vitin 2021 ai kishte nënshkruar një vendim, i cili kishte mundësuar futjen në rendin e ditës në seancën e Kuvendit Komunal diskutimin dhe votimin për tjetërsimin e një prone, e cila ishte në qendër të qytetit.
Sipas, këtij mediumi bëhej fjalë për ish-objektin e bibliotekës.
Kurse, burimet e medias lokale “Mitropol” kanë bërë me dije se në aksionin e sotëm të policisë është arrestuar edhe ish-drejtori për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë, Hysen Muzliukaj. Ky i fundit, tani ishte këshilltar i Ministrit të Bujqësisë, Faton Peci.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Faruk Mujka është zgjedhur Kryeshef Ekzekutiv i Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenc”. Këtë detyrë ai e kishte marrë për një mandat tri viteve.
Lajmin për këtë emërimin e kishte për bërë të ditur vete Mujka. Ai në profilin e tij në “Facebook”, kishte shkruar se në këtë pozit do ta jepte kontributin e tij në zhvillimin e ndërmarrjes.
“Çdo udhëtim ka fillimin, itinerarin dhe fundin e tij. Nga secili udhëtim kam fituar njohuri, eksperienca dhe miq të ri. Gjërat e këqija të përjetuara gjatë rrugëtimit hudhen pas shpine. Tani, koha për udhëtim të ri. Nga, nesër filloj detyrën e re, Kryeshef Ekzekutiv në NHE "Ibër - Lepenc", ndërmarrje tepër e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. Vend ideal për për të kontribuar dhe treguar aftësitë e duhura menaxhuese në përputhje me pritjet e qytetarëve”, kishte shkruar Mujka.
Ai kishte falënderuar të gjithë ata që ia kanë besuar këtë pozitë.
“Falemnderoj nga thellësia e zemrës të gjithë ata që më kanë besuar, përkrahur dhe mbështetur gjatë këtyre viteve nga sfida në sfidë. Mbase edhe takohemi gjatë rrugëtimit”, kishte shkruar Mujka.
Ndryshe, Nacionale e ka shpallur Mujkën si të punësuarin e vitit.

