Beteja në Facebook për zgjedhjen e presidentit - NACIONALE

Beteja në Facebook për zgjedhjen e presidentit

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Prej institucionit më të lartë në Kosovë, pra Kuvendit, beteja se kush i ka fajet, apo tentimi për t’i siguruar votat për presidentin, ka kaluar në rrjetet sociale.

Komente, postime, akuza e reagime, të gjitha këto vetëm përgjatë ditëve të fundit.

Gjithçka nisi së pari nga një video-mesazh i kryeministrit Albin Kurti në rrjete sociale. Aty, Kurti akuzonte PDK-në e LDK-në se janë bërë si Fatmir Limaj, duke i lënë fajtore për presidentin.

“Kësisoj, janë bërë oferta për kompromis ndaj partive opozitare, duke u ofruar pozita të rëndësishme në institucione, me qëllim që të arrihet marrëveshje dhe të shmanget bllokimi institucional. Fatkeqësisht, këto oferta gjeneroze janë refuzuar anipse janë shumë të favorshme në raport me numrin e deputetëve që ka opozita. Çdo takim me ta është inicuar çdo herë nga unë, thua se Kosova është vetëm e imja. Krerët e PDK dhe LDK fatkeqësisht po sillen edhe më keq se Fatmir Limaj në vitin e kaluar. Realisht, ata nuk janë duke dashur as pushtet dhe as përgjegjësi për veten e tyre. Krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet. Por, këtë gjë nuk e vendosin ata”, deklaronte Kurti.

Ofertën tjetër në Facebook, e bëri sërish VV-ja. Ata ia kërkuan tre emra konsensual LDK-së dhe PDK-së, duke u zotuar se do ta mbështesnin njërin prej tyre. Madje, e dhanë edhe një afat.

“Ftojmë PDK-në dhe LDK-në që së bashku të propozojnë tre emra, nga të cilët do të mund të zgjidhet Presidenti i ri nga legjislatura e 10-të. Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike. Për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. Koha është e kufizuar. Për shkak të afateve kushtetuese, presim përgjigje nga subjektet opozitare deri të dielën në mbrëmje”, shkruante Vetëvendosje.

Në Facebook u përgjigjën edhe partitë opozitare, Bedri Hamza i PDK-së doli me një video-mesazh.

“Po shohim sërish përpjekje për t’ia hedhur fajin opozitës për dështimin e zgjedhjes së Presidentit. Prej gati dy vitesh, vendi po përballet me bllokada politike, jo për mungesë mundësish, por si pasojë e kësaj qeverisjeje të papërgjegjshme. Edhe sot, në vend të reflektimit, po vazhdojnë fajësimet dhe manipulimet e zakonshme. “Ofertat” në minutat e fundit nuk janë gjë tjetër veçse lojë politike për t’u arsyetuar para qytetarëve, jo përpjekje serioze për të ofruar zgjidhje”, shkruante Hamza.

Kurse, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në Facebook, ‘provokoi’ VV-në me një tjetër ofertë.

“Meqë po komunikojmë në distancë, Ju lutem përcaktohuni a doni marrëveshje politike me LDK-në, apo i doni 90 vota edhe me PDK-në. Nëse është kjo e dyta dhe nuk mundeni pa ta, atëherë nuk mund t’ju ndihmojmë. Kur të merreni vesh, e trajtojmë. Por, nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot pergjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të”, shkruante Abdixhiku.

E kështu me radhë vazhduan postimet, akuzat e replikat nëpër rrjete sociale, por pa zgjidhje konkrete.

Së fundmi, sërish në Facebook, reagoi shefja e grupit parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! dje e bëri edhe një hap tutje për të mundësuar tejkalimin e ngërçit në zgjidhjen e presidentit, duke hequr dorë nga kjo pozitë dhe duke ftuar dy partitë më të mëdha opozitare që të vijnë me 3 propozime të kandidaturave unifikuese jashtë skenës politike, me integritet e kontribut të dëshmuar. Përtej deklaratave në media e rrjete sociale nga PDK e LDK, deri më tani, ne nuk kemi pranuar zyrtarisht asnjë propozim konkret karshi ofertës sonë për t’i dhënë vendit një president konsensual e unifikues. Për shkak të peshës së situatës dhe rëndësisë së afateve, ne mbesim në pritje të propozimeve konkrete edhe sonte, dhe i ftojmë edhe njëherë PDK-në e LDK-në që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës me propozimin e 3 emrave, dhe t’i vënë në dispozicion nënshkrimet e të gjithë deputetëve të tyre dhe t’i japim fund krizës dhe t’i ofrojmë qytetarëve stabilitetin institucional që vendi e meriton”, ka shkruar ajo.

Lajme të ngjashme