“Besa”, “Kanuni”, “Bishat”, “Përmenda AKI-në rrëshqimthi”: Gërvalla sulmon të gjithë, i qëndron lajmit të rremë të RTK-së
“Kam përmendur rrëshqimthi përkitjet institucionale me AKI-në. Por, ata s’kanë ndikuar që ta publikojmë lajmin”
Kështu u lajmërua drejtori me librezë partie të Vetëvendojes në RTK, Rilind Gërvalla, duke u bërë i gjallë sërish për lajmin e rremë e të rrezikshëm kundër Nacionales dhe Periskopit të marrë (lexo: të porositur) nga portali boshnjak “Slobodna Bosna” duke mos u distancuar e kërkuar as falje për të.
Gërvalla – në dukje teksti pisket ‘autor, Dejona Mihali’, dhe i formuluar krejtësisht politikisht – hodhi vrer mbi mediat dhe gjithçka që s’përkon me pushtetin, Vetëvendosjen dhe zgjedhjet vendore; në veçanti duke u marrë me dyshimet që kohëve të fundit rëndojnë mbi AKI-në për përcjellje të gazetarëve nga një strukturë e posaçme e joformale përbrenda agjencionit.
“Nuk ekziston bishë më e rrezikshme se shqiptari hakmarrës”, tha Gërvalla në një gjuhë morbide të zhanrit dejonamihal, duke e përgjithësuar këtë kategorizim për gjithkë që ka dalë kundër lajmit të-rremë-të-porositur te Slobodna Bosna.
Gërvalla u kërkoi, siç tha ai, “falje” AKI-së që i implikoi vetë në këtë situatë, ku në mbledhje të Bordit të RTK-së teksa po jepjte llogari kishte thënë se e ka marrë nga ta.
“Më vjen t’u kërkoj sinqerisht ndjesë organeve të sigurisë pse goditen indirekt, për arsye timen... Sot ndiej megjithatë siklet e faj kur shoh se si keqpërdoret ajo aferë për të ushtruar qitje tinzare kundër AKI-së.”, ka shkruar Gërvalla, ndërsa e konfirmoi se e ka thënë “off the record”.
Vetë implikoi AKI-në, i regjistruar në procesverbal të mbledhjes së Bordit të RTK-së, tash drejtori partiak i RTK-së akuzon mediat për “implikim pa pikë turpi të AKI-së”.
Fjalë ka edhe për “besë” e për “kanun”.
“Druaj se zgjedhjet do të ndikohen nga persona kundërthënës me portale të vetat, që s’kanë as besë as ndore kanuni”, ka shkruar Gërvalla.
Pastaj e vazhdoi me një leksion se si duhet lexuar një lajm në media. (Aha!)
Rikujtim: Pa asnjë fakt, provë, dëshmi, referencë, copë letre të prekshme, dokumenti, shifre, asgjë të matshme e të verifikuar, e madje as pa marrë palën tjetër në prononcim– por, thjesht me një burim anonim që thotë “na ka thënë një bashkëbisedues i yni nga Kosova” – Rilind Gërvalla ka dhënë lajm për “hulumtim” të një mediumi rekordthyes për lajme të rreme si Slobodna Bosna kundër Nacionales dhe Periskopit në lajmet e mbrëmjes në RTK dhe portal.
Gërvalla bëri thirrje t’i besohet AKI-së dhe RTK-së...
“Ftoj të gjithë që të mbajnë distancë kritike nga portalet jotransparente, e të ushtrojnë gjykim të matur kur hasin lajme sensacionale dhe afektive. Shikoni me dyshim çdo portal që nuk i tregon redaksinë, redaktorin përgjegjës, e origjinën e financimit, si dhe çdo lajm që nuk përmend burimin dhe nuk ofron mundësi të replikës”.
“Qëllimi i disinformacionit është që të na nxjerrë nga puna trurin, ashtu që ne të biem në afekt. Prandaj, nëse has një lajm që të trazon fuqishëm emocionalisht, kujtohu: është shenjë e manipulimit!”, ka shkruar Gërvalla.