Bërtimat e Kurtit, Krasniqi: Mirë është me e çu te otorinolaringologu për t'ia kontrolluar telat e zërit
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka komentuar sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ngritjen e zërit të kryeministrit Albin Kurti gjatë tubimeve elektorale. Ai ka sugjeruar që kryeministri të drejtohet te një otorinolaringolog për të kontrolluar telat e zërit.
Krasniqi ka thënë se ka vështirësi për ta kuptuar Kurtin dhe ka shtuar se mund të ketë ndonjë problem shëndetësor.
“Nëse është duke na shikuar i Vetëvendosjes, mirë është me e çu te një otorinolaringolog, me ia kontrollu telat e zërit, sepse s’po mund ta kuptojë. Kryeministrin e njoh prej para luftës, ky kështu nuk e ka zërin. S’di çka ka, a ka ndonjë siklet të madh", tha ai në emisionin "Rubikon" në Klan Kosova.
Në lidhje me akuzat dhe talljet e kryeministrit ndaj të tjerëve, Krasniqi ka theksuar se ato janë ofenduese për qytetarët. Ai ka shtuar se personalisht nuk ndihet i ofenduar nga Albin Kurti, pasi e njeh mirë.
“Unë besoj se ka ndonjë siklet të madh, unë mendoj që është edhe në panik, sepse me qenë kryeministri aktual e me pretendu 500 mijë vota, e me shku krejt fushatën duke i akuzuar të tjerët dhe duke i tallur të tjerët, për mendimin tim është ofenduese, ndaj qytetarëve, jo ndaj neve”.
“Nuk ofendohem unë prej Albin Kurtit. Unë e njoh mirë Albin Kurtin, ai e di sa e njoh dhe si e njoh, në kuptimin personal po flas, nuk mund të ofendohem prej tij, sepse e njoh”, u shpreh tutje Krasniqi.