Bërnabiq nga Parisi: Pa Asociacion s'diskutojmë për propozime të tjera
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq po qëndron për vizitë zyrtare në Francë. Atje sonte është takuar me homologun e saj france, Elizabeth Bourne.
Siç shkruan "Tanjug", Bërnabiq ka thënë se nuk mund të ketë normalizim të plotë pa themelim të Asociacionit.
Kjo në parim do të thotë se Serbia po e refuzon planin franko-gjerman, për të cilin edhe ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko sot shtoi se nuk është i duhuri.
Gjithsesi, duhet pranuar faktin se edhe më tutje nuk është publikuar përgjigja e Beogradit zyrtar drejt autoriteteve evropiane ndaj propozimit në fjalë.
Veç kësaj, në pyetjen e gazetarëve rreth propozimit franko-gjerman, ajo ka thënë se Kosova nuk i ka përmbushur marrëveshjet e mëparshme, duke u thirrur kështu në Asociacion, ani pse duhet pranuar faktin se një mori të tillash s'i ka implementuar as Serbia.
Ambasadori
Ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko ka komentuar zhvillimet e fundit në rajon dhe pashmangshëm planin franko-gjerman, dokument ky që synon zgjidhjen e paqes mes Kosovës e Serbisë, të paktën për një periudhë disa vjeçare, nëse jo një të përhershme.
Përmes një komunikate, Botsan-Kharchenko ka shtuar se me këtë propozim Perëndimi po synon të hedh benzinë në zjarr.
“Me fjalë të tjera: Perëndimi e uli tensionin e problemit të targave, të cilin Prishtina e krijoi artificialisht, por nuk e bëri për të normalizuar situatën në krahinë. Tani po i hedh sërish benzinë zjarrit.
Në përgjithësi, duket se aktiviteti ndërmjetësues i BE-së nuk ka asgjë të përbashkët me rolin e një ndërmjetësi të ndershëm”, ka thënë Botsan-Kharchenko, raporton Tanjug.
Konfirmimi
Para tri javëve, ishte hera e parë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi se ekziston një plan franko-gjerman dhe i cili nuk është refuzuar nga Kosova.
Kryeministri Kurti në konferencë për medie kishte deklaruar se situata në veri është krijuar, pasi Serbia e ka kundërshtuar planin teksa, sipas tij, për Kosovën është “hap në drejtim të duhur”.
“Ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur, meqenëse konceptet që aty përdoren, janë vlera. Për dallim nga herët e kaluara, konceptet janë të duhura. Domethënë, tash nuk jemi tek ajo. Tash jemi te vlerat. Dhe unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur"- kishte thënë Kurti.
“Unë jam i bindur që deri më datën 18 gusht, nuk kemi pasur dialog për marrëveshje. Kemi pasur dialog për proces të vazhdueshëm, dakordime të vogla, koncesione, dialog për dialog (nganjëherë), por më 18 gusht, pika e parë ka qenë korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Dhe më 9 shtator, patën ardhur në zyrën time, këtu, përfaqësuesit e kancelarit Scholz dhe presidentit francez."
Por Kurti ka pasur edhe vërejtje për planin franko-gjerman.
“...ata kanë sjellur përmbledhje të ideve, të modeleve, të cilat unë nuk i kam refuzuar, por kam thënë se janë bazë e mirë. I kam vërejtjet e mia, ua kam thënë edhe atyre. Por unë nuk e kam kundërshtuar”- kishte shtuar Kurti, i cili në takimin e fundit në Bruksel ka kërkuar që të fillojnë bisedimet për këtë plan.
