Berisha out, Qori in: Kush humbi e kush performoi mirë nga opozita në Shqipëri?
Partia Socialiste ka shënuar një fitore të madhe në zgjedhjet vendore në Shqipëri, duke fituar shumicën dërmuese të bashkive. Një fitore e tillë e madhe e partisë së kryeministrit Edi Rama dhe një debakël i thellë i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë”, të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë në bastionet e tyre, si Shkodra dhe Tropoja, ka rritur kërkesat për formimin e një opozite të re. Një gjë e tillë ka nisur të lindë me nismat qytetare “Nisma Thurje” dhe Lëvizjen Bashkë, që kanë befasuar në këto zgjedhje. Çfarë ndodhi?
Lëvizja Bashkë & Nisma Thurje
Kandidati për kryetar bashkie të Tiranës, nga Lëvizja Bashkë, Arlind Qori, deri me tani ka marrë afro 14 mijë vota, raporton Top Channel.
Ndërsa, “Nisma Thurje”, tre këshilltar në tri bashki të ndryshme.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazi, e ka mirëpritur suksesin e dy nisamave qytetare.
Me anë të një postimi në Facebook, Abazi ka thënë se në këto zgjedhje ka dy lajmë shpresëdhënëse.
“Për ata që kërkojnë ndryshime të mëdha për Shqipërinë, ka megjithatë dy lajme shpresëdhënëse nga këto zgjedhje, nga dy parti që garojnë për herë të parë në zgjedhjet lokale - Lëvizja Bashkë dhe Nisma Thurje”, ka shkruar Abazi.
Aktivistja politike nga Tirana, Gresa Hasa, po ashtu është shprehur e kënaque me suksesin Lëvizjës Bashkë dhe Nismës Thurje.
Në një shkrim në Facebook, Hasa ka shkruar për pritjet që ka nga këto dy subjekte të reja politike.
“Risi e zgjedhjeve elektorale në Shqipëri kësaj here është jo vetëm prania e subjekteve të reja politike, që vijnë nga radhët e shoqërisë civile por gjithashtu fakti se për herë të parë, rezultatet tregojnë se dy përfaqësues partiak, një nga Nisma Thurje dhe një nga Lëvizja Bashkë, do t'i bashkohen këshillit bashkiak në Tiranë”, ka shkruar ajo.
“Ky është zhvillim mëse i rëndësishëm duke qenë se dy zëra të rinj e nga një kontekst i tillë, do të përfaqësojnë jo vetëm një frymë ndryshe brenda këshillit por gjithashtu, prania e tyre do të përkthehet në dy vota më shumë kundër iniciativave që në 8 vitet e fundit e kanë shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme qytetin. Edhe sikur në pamundësi për të ndaluar vendime të caktuara, kërkesa e llogarisë dhe vënia përpara përgjegjësisë e kryetarit të bashkisë do të jetë më e lartë. Më i lartë do të jetë edhe informimi qytetar mbi çdo shkelje dhe parregullsi të mundshme që ndodh brenda dyerve të këtij institucioni”, thotë ajo.
“Opozita siç e kemi njohur deri më dje ka marrë fund njëherë e mirë. Mundësia për një opozitë të re, të konsoliduar dhe të drejtë nuk ka qenë kurrë më parë kaq afër. Ky rrugëtim s'ka për të qenë fare i lehtë por është i domosdoshëm. Suksese”, ka shkruar ajo.
Sali Berisha
Udhëheqësi i frontit “Bashkë fitojmë”, Sali Berisha, nuk po e pranon rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri, përkundër humbjës së madhe.
Berisha gjatë një konference për media, tha se se votuesit kanë qenë nën presion.
“Kurrë nuk tërhiqem para bandave të krimit shtetëror dhe jo shtetëror. Shkodra është shembulli më i shëmtuar në të cilën u votua si në rrethim nga banda të Edi Ramës”, tha Berisha.
Analisti Kosovar, Fitim Salihu, ka kritikuar për këtë qëndrim ish-kryeministrin Berisha, duke thënë se me këtë këmbëngulje për të qenë në krye të opozitës po e dëmton në radhë të parë imazhin e tij.
“Berisha në pension do të mbahej në mend si lideri që rrëzoi diktaturën, si lideri që e futi Shqipërinë në rrugën e pluralizmit dhe ekonomisë së tregut, si lideri që e stabilizoi ekonomikisht shoqërinë shqiptare në periudhën 1992-1996, si lideri që inkuadroi Shqipërinë në NATO. Natyrisht edhe i dukurive negative që ka çdo qeverisje, por ama i ka edhe këto arritje pozitive, madje historike.
Por, në qe se vazhdon të këmbëngul për të qenë me çdo kusht aktiv e në krye të opozitës, qoftë edhe me koston e tkurrjes së opozitës, Berisha, siç po shihet, do të mbahet mend më së shumti për debaklet e njëpasnjëshme elektorale dhe për acarimin e vazhdueshëm me aleatët perëndimorë”, ka shkruar Salihu në Facebook.

