Berisha: Kosova duhet ta pranojë Asociacionin
Lideri i PD-së, Sali Berisha, ka ftuar institucionet e Kosovës që të angazhohen për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ai ka thënë se Kosovës duhet të pranojnë Asociacionin që respektojnë plotësisht normat e kushtetutës.
Në profilin e tij në “Facebook”, Berisha ka shkruar se Kosova duhet t`i marrë parasysh kërkesat e aleatëve.
“SHBA në menyrë të përsëritur janë shprehur për Asocacion në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Mendoj se Prishtina zyrtare duhet të angazhohet për një detyrim të tillë. Por e vërteta është se Beogradi nuk pretendon dhe nuk do pranonte nje asocacion brenda kornizës kushtetuese të Kosovës. Nuk duhet të kemi iluzione, presidenti serbomadh Aleksandër Vuçiç kërkon një asocacion etnonacionalist supra-kushtetues që de facto dhe de jure garanton shtrirjen e shtetit serb në Kosovë, shtrirjen e serbomadhisë në rajon. Një asocacion i tillë që do të mishëronte frymën e preambulës aneksioniste të kushtetutës serbe, preabmulë që qëndron si shpata e Demokleut edhe mbi këtë marrëveshje është i papranueshëm dhe i rrezikshem jo vetëm për Kosovën, por për mbarë rajonin. CiIido që mund të mbrojë apo mbështes një asocacion të tillë nuk duhet të harrojë se baruti i fuçisë në rajon është ultranacionalizmi serb dhe se minoriteti serb në Kosovë gëzon të drejta politike më të mëdha se sa çdo minoritet tjetër në Europë. Aq më tepër duhet mbajtur parasysh se në çdo vend të rajonit tonë gjenden komuna me shumicë të etnive që janë pakicë në këto vende dhe kjo ide sherrmbjellëse hap kështu kutinë e pandorës, domethënë një proces të pandalshëm me pasoja të paparashikueshme”, ka shkruar Berisha.
Sipas tij, Kosova duhet t`i shmanget presionit ndërkombëtar për çështjen e asociacionit.
“Si përfundim marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë nuk mbahet dhe nuk mund të mbahet peng nga autoritet e Kosovës të cilat duhet të pranojnë asocacione që respektojnë plotësisht normat e kushtetutës vërtet të mirë të Kosovës të hartuar nga komuniteti ndërkombëtar që garanton plotësisht liritë dhe të drejtat e qytetarëve të Kosovës dhe pakicave në këtë vend. Por firmosja e marrëveshjes nuk mund të arrihet duke aplikuar presione bazuar në parimin e locus minoris resistentiae ndaj Kosovës që kjo e fundit të shkelmojë Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese te saj”, ka shkruar Berisha.