Berisha: Është fyese që protesta demokratike e drenicasve të krahasohet me veprimet e Radoiçiqit në veri
Shefi i asamblistëve të PDK-se në Skenderaj, Alban Berisha, i ka reaguar kryetari i qendrës së VV-së në Skenderaj, Hysni Mehana, i cili protestat e djeshme të qytetarëve të Skenderajt i ka krahasuar me ato të serbëve në veri.
Ai ka bërë me dije se është e papranueshme dhe fyese që protesta demokratike e qytetarëve të Drenicës të krahasohet me veprimet e Milan Radoiçiqit në veri.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se pretendimet e tilla janë përçarëse.
“Është e papranueshme dhe fyese që protesta demokratike e qytetarëve të Drenicës, e dalë nga shqetësimi dhe zëri demokratik i qytetarëve, të krahasohet me figura kriminale si Radoiçiqi. Një deklaratë e tillë e këtij përçarësi nuk i shërben as debatit publik e as demokracisë, por vetëm nxit dhunë, përçarje dhe ofendon qytetarët e Drenicës. Drenica ka dhënë për këtë vend shumë gjak, sakrificë dhe rezistencë për liri. Prandaj askush nuk ka të drejtë ta njollosë zërin qytetar të saj me etiketime të ulëta politike. Protesta është e drejtë demokratike dhe nuk mund të barazohet me veprime kriminale apo figura që kanë vepruar kundër Kosovës”, ka shkruara ai.