Belarus has effectively ceded control to Kremlin, says opposition leader - NACIONALE

Belarus has effectively ceded control to Kremlin, says opposition leader

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish punëtorët e Ballkanit në luftë me Shtetin, AKP-në dhe Vdekjen për paratë e tyre

Ish punëtorët e fabrikës së gomës “Ballkani” në Suharekë vazhdojnë të luftojnë për paratë që u takojnë. Rruga e tyre po pengohet nga neglizhenca e shtetit, AKP-ja, Gjykata Supreme por edhe Vdekja.

Halim Kafexholli

“Mbi 50 punëtorë na kanë vdekë prej grevës e këndej,” – na tha Elez Havolli, kryetari i Sindikatës së ish punëtorëve të Ballkanit.

“Jo bre, për 100 ta garantoj unë,” - intervenoi Skënder Kuqi, 79 vjeçar, i cili është punëtori me përvojën më të madhe në fabrikën e gomës.

Në skenën në të cilën po zhvillohej ky dialog – pak javë më parë - i pranishëm ishte edhe Refki Fandaj, nënkryetar i Sindikatës. Për fat të keq, Fandaj do të ndërronte jetë para se të përgatitej ky artikull për botim.

*

Pandemia Covid-19 e kishte detyruar kryetarin e Sindikatës së ish-punëtorve të ‘‘Ballkanit’’ Elez Haxhollin, bashkë me shumë kolegë të tij që ta ndërprisnin grevën e filluar më 23 shtator të vitit 2013. Tash e më shumë se tetë vite ata pothuajse janë takuar përditë në qytetin e Suharekës ku kanë zhvilluar grevën e tyre. Këta punëtorë grevistë, që nga privatizimi i ndërmarrjes kërkojnë të drejtat e tyre si: njohjen e punës nga viti 1990-1999 kur ishin larguar nga puna prej ish-regjimit të Millosheviqit, pagesën e 20%-shit nga Agjensia Kosovare e Privatizimit [AKP], si dhe shumën e plotë prej 5327 eurove në bazë të vendimit të vitit 2013 nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme.

Por, nga kjo shumë deri më tani janë kompensuar 1354 ish-punëtorë me vetëm nga 1100 euro, apo 20.65% e shumës së plotë e cila u takon.

Vendimi për t’i deponuar këto mjete në xhirollogari të këtyre punëtorëve kishte ardhur nga Drejtoria Menaxhuese e Likuidimit më datë 3 tetor të vitit 2019, kurse mjetet për këta ish-punëtorë ishin deponuar më datë 5 tetor të atij viti, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të fundit nacionale në Kosovë.

Në vendimin e AKP-së thuhet se ky vendim mbështetet në nenin 41 pika 4 të Shtojcës së Ligjit të AKP-së që i mundëson Agjensisë të bëj shpërndarje të pjesshme për kreditorët e Ndërmarrjeve Shoqërore.

Mirëpo, Sindikata dhe ish punëtorët e kësaj ndërmarrje kërkojnë nga AKP-ja, që nëse nuk mund ta marrin shumën e plotë, atëherë të paktën shuma e mbetur në xhirollogari të NSH ‘‘Ballkani’’ të shpërndahet tek punëtorët, pasi që përveç pamundësisë së daljes në grevë, virusi COVID-19 ua ka vështirësuar edhe më tej gjendjen e tyre ekonimike.

“Ne po kërkojmë që me këtë gjendje që është momentalisht, edhe neve ma na futë në prioritet dhe me na lëshu qato pare që i kemi në xhirollogari të Ballkanit... për momentin,” - thotë Kryetari i Sindikatës, Elez Havolli, i cili punën në këtë ndërmarrje e kishte nisur në vitin 1970.

Havolli thotë pas ktij vendimi të Gjykatës Supreme të vitit 2013, përpjekja e punëtorve që t’i marrin këto mjete ka qenë e vazhdueshme, gjë për të cilën iu kishin drejtuar vazhdimisht institucioneve të Kosovës, e për të cilin kishin marrë edhe premtime nga ish kryeministra të vendit.

“Na kanë premtu rend kryeministrat. Ramushi na ka qitë kafe dhe na ka thanë që për 2 javë jau kry këtë punë, po më nuk është bërë asgje,” - thotë i dëshpëruar Havolli.

Mirëpo, duke qenë të pashpresë se borxhi ndaj tyre do të kryhet në tërësi, ish punëtorët tani kërkojnë të paktën shumën e mbetur në xhirollogari që sipas Sindikatës janë 1 milion e 12 mijë euro.

Por, AKP-ja e mohon që në dispozicion janë këto mjete. Sipas tyre në këtë llogari bankare mbahen edhe 137 mijë e 780 euro për buxhetin e likuidimit si dhe 126 mijë e 850 euro për kreditorë të ligjshëm. Sipas AKP-së kjo agjenci nuk ka fonde t’i paguaj të gjithë kreditorët e aprovar nga Autoriteti i Likuidimit. Ndërsa për faktin që nuk mund të bëhet shpërndarja e mjeteve të disponueshme, AKP-ja thotë ndodh për shkak se për këtë çështje ka ankesa në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.

Sipas tyre, në këtë gjykatë ndodhën 43 ankesa lidhur me këtë rast. Pra, sipas AKP-së fajtore për këtë faj suprem është Supremja.

“Afatet se kur do të lëshohen mjetet që janë në dispozicion, janë të ndërlidhura me procedurat gjyqësore dhe disponushmërinë e fondeve të likuidimit,” - thuhet tutje në përgjigjen e AKP-së.

Por, se ka ankesa të tilla e mohon kryesindikalisti Havolli, sipas tij, ky vetëm është një arsyetim i AKP-së.

“Këta (AKP) po arsytohen se janë bërë 43 ankesa të reja, që nuk është e vërtetë sepse nuk ka më ankesa pas vitit 2013, ndërsa 276 punëtorëve iu kanë kthy negativisht kërkesat që i ka bërë sekretari ynë,” - thotë Havolli. “Me pasë ankesa ne e kishim ditë se cilët punëtorë kanë bërë ankesa”.

Rreth këtyre ankesave gazeta Nacionale ka pyetur edhe Gjykatën Supreme. Zëdhënësja për informim, Antigona Uka, nuk e ka pohuar atë që është thënë nga AKP-ja.

Pa përmendur specifikisht, ajo thotë se në këtë gjykatë aktualisht lëndë aktive të përgjithshme rreth vendimeve të Autoritetit të Likuidimit janë 73 lëndë të viteve 2013 dhe 2014.

Kanë kaluar mbi 2390 ditë - po e themi edhe një herë “2390” - prej se këta punëtorë kishin filluar grevën në kërkim të të drejtave të tyre. Mirëpo, grevën që këta punëtorë e kishin nisur më 23 shtator të vitit 2013 - shumica prej tyre edhe të shtyrë në moshë - shprehen se janë të zotuar që rezictencën e tyre ta vazhdojnë derisa të kryhen të gjitha obligimet që ka shteti ndaj tyre.

Për disa vite këta punëtorë kishin qëndruar në tenda përballë Shtëpisë së Kulturës në Suharekë, mirëpo tash e dy vite ata janë pozicionuar në një dhomë të një objekti në qytet e cila është pronë e kësaj ndërmarrje. Por tashmë, në kohë pandemie ajo po qëndron e mbyllur.

Kryetari i Sindikatës thotë që edhe këtë shumë solide të cilën kanë arritur ta marrin, ka ndodhur falë greves tashmë rreth 90-muajshe. Sipas tij, është shumë e dhimbshme dhe e turpshme për qeveritë në Kosovë që kanë lejuar të grevohet qe shtatë vjet për këtë çështje.

“Rend na kanë premtu kryeministrat, edhe Isa Mustafa njëjtë na ka premtu sikurse Ramush Haradinaj e secili kryeministër, por nuk kanë bo kurgjo. Marre për shtetin me qenë problem 5-6 milion euro sa duhen me na mbulu borxhin. Kemi pasur shumë shpresë edhe në këtë qeveri, por si duket njëjtë edhe këta.” thotë Havolli.

‘‘Boll po më vynë qato pare valla, se a pe sheh çfarë krize u bo tash! Po krejtve po na duhen, se shumë punëtorë janë mbajtës edhe të familjes,” - thotë Havolli.

Por, siç thamë në fillim, Sindikatës po i del problem edhe me vdekjen e punëtorëve. Fatkeqësisht, së fundi gjeti vdekjen edhe nënkryetari i Sindikatës, z. Refki Fandaj.

Skënder Kuqi, punëtori që garantonte se numri i të vdekurve arrinte 100, punën në këtë ndërmarrje e kishte filluar në vitin 1964. Ai kujton me nostalgji kohën kur kjo fabrikë kishte qenë gjigande e prodhimit në ish-Jugosllavi.

“Nuk e di a ka pasë paga më të mëdha se ‘‘Ballkani’’ në atë vakt. Përnime njerëzit e kanë lanë perendimin me ardhë me punu këtu. Po flas deri në 80-tat. E tani pas lufte po dihet! E hongrën.” – na tha Kuqi.

Kjo fabrikë e cila kishte operuar me mbi 1800 punëtorë dhe me pesë reparte të ndryshme të prodhimit. Ajo ishte privatizuar më 21 korrik të vitit 2005 me metodën e spin off-it special në valën e tretë të privatizimit për 1.4 milion euro nga kompania turke “Ozerband Group”, e cila në kontratën e blerjes obligohej që të investonte 6 milion euro në makineri dhe në riparimin e ndërmarrjes si dhe në rritjen e kapaciteteve të numërit të punëtorve. Ndërsa afatet e këtyre përmbushjeve i kishin skaduar në vitin 2008.

Kompania ‘‘IGK Ballkani’’ vazhdimisht ka deklaruar se i ka kryer të gjitha investimet që ia ka obliguar kontrata me AKP-në.

Mirëpo, sipas Sindikatës asnjëra nga këto zotime nuk është përmbushur. Kryetari i kësaj Sindikate, Elez Havolli, thotë që asnjëra nga këto marrveshje nuk janë respektu siç duhet nga kompania privatizuese si dhe çmimet e investimeve sipas tij janë vetëm ekzagjerim.

‘‘Ka pru maqina të vitit 1957. I ka pru 12 maqina edhe i ka shkru kinse një kushton 120 mijë, por veç i ka fry cmimet sa me mbulu zotimin,” - thotë kreu i Sindikatës.

Të njejtën gjë e thotë edhe një raport i pavarur i auditimit që i ishte bërë kësaj ndërmarrje në vitin 2009 nga kompania e pavarur e auditimit “Bekim Berisha Sh.p.k”.

Në këtë raport që e ka siguruar gazeta Nacionale, thuhet se, në lidhje me investimet ne makineri, konstatohet se janë gjetur diferenca jo të zakonshme në kostot e makinave si dhe dyshime për mbivlerësimin të atyre kostove të prezantuara si investime.

Tutje në raport theksohet se kompania nuk ka prezantuar, as nuk ka shpalosur dhe nuk ka sqaruar transkasionet me palët e ndërlidhura, për të qenë të sigurt se transaksionet ndërmjet tyre janë të zakonshme. Tutje, ky auditim kishte propozuar që nga shuma prej rreth 6 milion eurove, e prezantuar nga kompania si investim, të veçohet shuma mbi 4 milion e cila përbëhej nga makinat e blera për ndërmarrje. Prandaj, në atë kohë, auditori i kishte rekomanduar AKP-së që të angazhonte një kompani të specializuar për vlerësimin e këtyre makinave. Mirëpo një gjë e tillë nuk kishte ndodhur, pasi që AKP-ja kishte vlerësuar që blerësi i kësaj ndërmarrje kishte përmbushur obligimin kontraktues.

Kompania blerëse, përveç ndërmarrjes, kishte përfituar edhe dhjetra hektarë tokë që ishin pronësi e Ballkanit ku më pas, në vitin 2013 një sipërfaqe prej 7 mijë metrave katrorë i ishte shitur kompanisë të rrjetit të marketeve “Viva Fresh Sh.p.k”. Kjo ishte raportuar si një shitje e dyshimtë e tokës.

Dhe për gjithë këto, ish punëtorët nuk këqyrnin seri.

Në lidhje me keqpërdorimet e privatizimit të Ballkanit, Sindikata kishte kërkuar vazhdimisht nga Kuvendi i Kosovës që të inicionte një hetim parlamentar lidhur me ecurinë e procesit. Ndërkohë në vitin 2020 Kuvendi i Kosovës kishte themeluar një komision hetimor në lidhje me këtë çështje, mirëpo përveç disa mbledhjeve ky komision tash e një kohë nuk është aktiv.

Lëvizja Vetëvendosje si opozitë kishte qenë shumë e zëshme për procesin e privatizimit duke kundërshtuar dhe insistuar se këto ndërmarrje nuk duhej të shiteshin. Madje, VV-ja ishte zotuar edhe se AKP-ja do të shihej në tërësi duke e zëvëndësuar atë me Fondin Sovran. “AKP-ja do të shuhet, kanë vjedhur shumë, por nuk do t’i lejojmë më,” - kishte deklaruar Kryeministri Kurti. Mirëpo edhe pas një viti qeverisjeje të Vetëvendosjes, AKP-ja që vazhdon të funksionojë me bordin e ri, e që thuhet se destinim e ka shuarjen, nuk ka bërë lëvizje në drejtimin e duhur.

Përkundër gjithë zhvillimeve politike, ish punëtorët e Ballkanit janë të vendosur që greva e tyre të vazhdojë.

Lëvizja Vetëvendosje si opozitë kishte qenë shumë e zëshme për procesin e privatizimit duke kundërshtuar dhe insistuar se këto ndërmarrje nuk duhej të shiteshin. Madje, VV-ja ishte zotuar edhe se AKP-ja do të shihej në tërësi duke e zëvëndësuar atë me Fondin Sovran. “AKP-ja do të shuhet, kanë vjedhur shumë, por nuk do t’i lejojmë më,” - kishte deklaruar Kryeministri Kurti. Mirëpo edhe pas një viti qeverisjeje të Vetëvendosjes, AKP-ja që vazhdon të funksionojë me bordin e ri, e që thuhet se destinim e ka shuarjen, nuk ka bërë lëvizje në drejtimin e duhur.

Përkundër gjithë zhvillimeve politike, ish punëtorët e Ballkanit janë të vendosur që greva e tyre të vazhdojë.

Lajme të ngjashme