Begaj: Kosova duhet patjetër të dëgjojnë rekomandimet e dhëna nga aleatët në dialogun me Serbinë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se zyrtarët nga Kosova duhet të ndjekin rekomandimet e partnerëve në dialogun me Serbisë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Begaj ka thënë se nuk kemi nevojë për vetëizolim, ne kemi nevojë për miq dhe për mbështetje.
“Ne nuk kemi nevojë për vetëizolim, ne kemi nevojë për miq, për mbështetje. Kështu që duhet patjetër që çdo rekomandim i dhënë nga aleati ynë strategjik duhet të dëgjohet. Duhet të dëgjohet më së tepërmi nga politikanët e Kosovës, ata të cilët janë vendimmarrësit për këtë gjë. Do të këshilloja që, të gjithë politikanët e Kosovës, të gjithë shqiptarët, duhet të kuptojnë që ne kemi vetëm një busull, ajo busull duhet të na orientojë drejt rrugëtimit euroatlantik.” – ka thënë Begaj.
Ai gjithashtu ka thënë se e mbështesin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili është lehtësuar nga BE-ja dhe ShBA-ja.
“Për të ardhur në situatën e tanishme, Shqipëria dhe unë në fjalën time dje në OKB, mbështesim fuqimisht dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, dialog i cili është i lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë partneri dhe aleati ynë strategjik.” – ka thënë Begaj ndër të tjera.
Ai tutje ka thënë se mbështetja e Kosovës është domosdoshmëri, domosdoshmëri jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin.
