BE reagon pas operacioneve në veri: Kurti të ndalojë - NACIONALE

BE reagon pas operacioneve në veri: Kurti të ndalojë

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian ka reaguar pas operacioneve të fundit të Policisë së Kosovës në veri.

Në një komunikatë të publikuar në faqen e Shërbimit të Jashtëm të BE-së, thuhet se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara minojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit.

“Operacionet e fundit të Policisë së Kosovës, inspektimet dhe mbylljet e shërbimeve publike në Kosovë rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të komuniteteve lokale, si dhe të dëmtojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Ne jemi veçanërisht të shqetësuar për operacionet kundër kompanisë Vodovod Ibar në Mitrovicën e Veriut, impiantit të ujit dhe ndërmarrjes publike komunale në Zubin Potok, të cilat ofrojnë shërbime bazë për komunitetet që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës.

Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara minojnë përpjekjet për ndërtimin e besimit mes komuniteteve”thuhet në reagim.

Po ashtu, BE ka pasur një thirrje direkte për kryeministrin në largim, Albin Kurti, derisa ka kërkuar themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit në detyrë Kurti dhe autoriteteve në Kosovë që të ndalojnë këto mbyllje, të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin masat përshkallëzuese.

Të dyja palët, Kosova dhe Serbia, inkurajohen të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit, si dhe marrëveshjeve të tjera të arritura në kuadër të këtij dialogu, pa vonesa apo parakushte të mëtejshme. Kjo përfshin krijimin e Asociacionit/Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor për rrugën evropiane të të dyja palëve” – thuhet tutje.

Lajme të ngjashme