BE-ja thotë se pushtimi ushtarak amerikan i Groenlandës do çonte në “fundin e NATO-s” - NACIONALE

BE-ja thotë se pushtimi ushtarak amerikan i Groenlandës do çonte në “fundin e NATO-s”

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian mund të ndihmojë në garantimin e sigurisë së Groenlandës, nëse Danimarka e kërkon një gjë të tillë, deklaroi të hënën Komisioneri Evropian për Mbrojtjen dhe Hapësirën, Andrius Kubilius, duke paralajmëruar se një pushtim ushtarak amerikan i territorit do të sillte “fundin e NATO-s”, siç raportoi “Reuters”.

Deklaratat u bënë në një konferencë sigurie në Suedi, në një kohë kur ish-presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara “duhet ta zotërojnë Groenlandën”, një territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës, për të penguar, sipas tij, ndikimin e Rusisë apo Kinës në Arktik. Trump ka thënë se prania aktuale ushtarake amerikane nuk është e mjaftueshme dhe nuk ka përjashtuar përdorimin e forcës.

“Jam dakord me kryeministren daneze se kjo do të ishte fundi i NATO-s, por edhe në opinionin publik do të kishte pasoja shumë, shumë negative,” tha Kubilius për Reuters. Ai shtoi se një veprim i tillë do të kishte “një ndikim thellësisht negativ në marrëdhëniet transatlantike”.

Danimarka dhe SHBA, të dyja anëtare të NATO-s, pritet të zhvillojnë këtë javë bisedime mbi Groenlandën. Si Kopenhaga, ashtu edhe autoritetet e Groenlandës kanë theksuar se territori “nuk është në shitje”.

Kubilius nënvizoi se neni 42.7 i Traktatit të BE-së detyron shtetet anëtare t’i vijnë në ndihmë Danimarkës në rast agresioni ushtarak. “Kjo do të varet shumë nga reagimi dhe qëndrimi i Danimarkës, por ekziston një detyrim për ndihmë të ndërsjellë,” tha ai.

Sipas Kubilius, BE-ja mund të kontribuojë në sigurinë e Groenlandës me trupa, anije luftarake dhe kapacitete kundër dronëve, nëse kjo kërkohet zyrtarisht. Ai paralajmëroi gjithashtu se çdo okupim me forcë do të kishte pasoja të rënda politike dhe ekonomike në marrëdhëniet SHBA–BE, përfshirë edhe tregtinë.

Lajme të ngjashme