BE-ja deklarohet për pamjet e Radojiçiq: S'bazohemi në një video, ende s’ka masa kundër Serbisë
Ndonëse dje u mbajt një takim i përfaqësuesve të shteteve anëtare, Bashkimi Evropian ende nuk ka dalë me një përfundim për sulmin terrorist në veri të Kosovës, derisa po pret përfundimin e hetimeve.
Në një konferencë për media, zëdhënësi Peter Stano edhe pse u pyet rreth takimit të djeshëm, ka thënë se nuk mund ta komentojë të njëjtin.
“Nuk do të komentoj përmbajtjene diskutimeve atje, pozicionet e shteteve, BE-ja punon në këtë mënyrë. Nëse do të ketë një vendim, shtetet do ta marrin dhe do të njoftohen. Po vazhdon angazhimi i shshteteve anëtare që të shihet se si të përballemi me situatën.” – u shpreh ai.
Veç kësaj, Stano u shpreh që aktualisht, nuk kanë diçka për të lajmëruar sa u përket masave kundër Serbisë.
“Shteteve anëtare u takon po ashtu se çfarë masa ndërmerren dhe për çfarë arsye, kështu që në këtë pikë nuk jemi ende atje dhe nuk kemi diçka për të lajmëruar.” – tha ai.
Sipas BE-së, dialogu duhet të vazhdojë me urgjencë, pasi pavarësisht asaj që ndodhi të dielën, ka pasur gjithmonë shumë arsye që bisedimet të zhvillohen.
“Pavarësisht asaj që ka ndodhur të dielën, ka pasur gjithmonë një urgjencë për vazhdimin e dialogut, ka pasur shumë arsye, përtej asaj që ka ndodhur, në interes të Kosovës dhe Serbisë.”
Stano u shpreh qartë se po presin që hetimet të përfundojnë, në mënyrë që të dihet kush ka qenë përgjegjës.
“Për ne është e rëndësishme që hetimi të përfundojë, kur të kemi një pikëpamje se çfarë ndodhi, kush ishte pas, kush ishte përgjegjës, do të ndërmarrim hapat e nevojshëm dhe pasojat nga kjo. Duhet të qartësohen të gjitha faktet, rrethanat, dhe ata të mbahen përgjegjës”.
Po ashtu, kur u pyet në lidhje me videon e publikuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku qartë shihej krimineli Milan Radojiçiq, zëdhënësi i BE-së u shpreh se nuk do të “kërcejnë në përfundime” bazuar në postime apo video.
“Ne nuk do të kërcejmë në përfundime bazuar në një video, diçka të postuar atje apo këtu, hetimi duhet të përfundojë që BE-ja të ketë një pikëpamje të qartë se çfarë ndodhi dhe kush është përgjegjës.” – u shpreh ai.
Po ashtu, zëdhënësi evropian deklaroi se s’e komentojnë çdo emër, duke u shprehur si vijon:
“BE-ja nuk komenton çdo emër për situatën, kur vjen puna te incidentet dhe sulme terroriste si ai i së dielës, pret për një hetim dhe më pas gjykon dhe ndërmerr hapa.”
Ndryshe, në një akt terrorist, një formacion prej 30 personave të armatosur rëndë sulmuan sulmuan Policinë e Kosovës në fshatin Banjska të dielën. Nga ky sulm, një polic i Kosovës mbeti i vrarë e dy të tjerë të plagosur.
Autoritetet e Kosovës njoftuan vdekjen e tre terroristëve të dielën, më pas më 25 shtator u konfirmua se ishte zbuluar trupi i një sulmuesi të katërt. Gjashtë persona janë arrestuar po ashtu.
Ndërkohë, Policia e Kosovës gjatë këtyre dy ditëve zhvilloi aksione për neutralizimin e këtij grupi.
Aktualisht, gjendja në veri është e qetë pas sulmit terrorist të së dielës nga persona të armatosur rëndë.
