BDI: Maqedonasit po e thellojnë ndarjen e shtetit - NACIONALE

BDI: Maqedonasit po e thellojnë ndarjen e shtetit

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka thënë se margjinalizimi i shqiptarëve në institucione e administratë po e rrezikon stabilitetin, funksionalitetin dhe rrugën europiane të Maqedonisë së Veriut.

Me anë të një kumtese për medie, subjekti i drejtuar nga Ali Ahmeti ka vlerësuar se ka një prishje të thellë të ekuilibrit institucional e shoqëror në shtet.

“Përmes vendimeve të njëanshme dhe politikave të përjashtimit, shqiptarëve u është mohuar një rol i rëndësishëm në proceset shtetformuese dhe në drejtimin e përbashkët të vendit. Ky fenomen nuk është thjesht një çështje përfaqësimi etnik — është një çështje që prek vetë funksionimin e shtetit. Margjinalizimi i shqiptarëve në jetën shtetërore, administrative dhe publike minon modelin e demokracisë konsensuale që, që prej Marrëveshjes së Ohrit, ka garantuar stabilitet, kohezion dhe përparim”, thuhet në reagim, transmeton NACIONALE.

Sipas BDI-së, ky regres është duke ndodhur në një moment kyç për sa i përket perspektivës evropiane të vendit.

Në kumtesë është thënë se “zvogëlimi i rolit konstruktiv të shqiptarëve — si partnerë kyç në ndërtimin e një shteti multietnik, demokratik dhe properëndimor — jo vetëm që rrezikon kohezionin e brendshëm, por edhe minon kredibilitetin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”.

“Për më tepër, fakti se sot në qeveri nuk ka një përfaqësim legjitim të shqiptarëve, por një grup partish me mbështetje minimale, rreth 1%, qe qytetarët me të drejtë i quajnë koalicioni FLEN, nuk mund ta amnistojnë elitën politike maqedonase nga përgjegjësia për krijimin e ndarjeve të thella dhe dëmtimin e parikuperueshëm të unitetit të shtetit. Sot, më shumë se kurrë, është e domosdoshme të rikthehet parimi i bashkëqeverisjes së barabartë dhe të respektohen standardet që për dekada kanë garantuar paqe, stabilitet dhe perspektivë europiane”, thuhet në kumtesë.

Nga kjo parti kanë theksuar se demokracia, mirëqenia dhe rruga drejt BE-së janë të pandara nga respektimi i karakterit multietnik të Maqedonisë së Veriut.

“Ky është një thirrje jo vetëm për drejtësi ndaj shqiptarëve, por për një përgjegjësi të përbashkët ndaj së ardhmes së të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Vetëm zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje!”, përfundon kumtesa e BDI-së.

Lajme të ngjashme