Batoni e Çimi kapen për Albinin: “Mos fol kot, dëgjo; Të ka ngelur në kokë Kurti”
Dy shqiptarë, që për profesion kanë gazetarinë, janë pikëtakuar dje pak kilometra në dalje të Prishtinës. “Përputhja” gjeografike e tyre është incizuar krejtësisht me kamera profesionale. Përpara kamerave të televizionit “T7”, Baton Haxhiu, gazetar veteran, dhe Çim Peka, gazetar nga Shqipëria, i shkëmbyen mendimet publikisht.
Batoni, njeriu që e ka “ringjalljen” të përbashkët me Jezu Krishtin, si gjithnjë ishte kritikues i Qeverisë së Kosovës, që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti. Çimi, figurë goxha e njohur në Kosovë (i njohur edhe për një meme të viralshme), e përkrahu Kurtin dhe qasjen e tij në dialog.
Në fakt, për nga mënyra se si flasin e qëndrimet e tyre politike, Batoni duket se do të kishte dëshirë të ishte me prejardhje nga Konispoli i Vlorës, vendbanim në jugun më të largët të Shqipërisë. Pse? Lehtë e rrokshme, Batoni është përkrahës i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa kritik i kryeministrit Kurti. Ose thënë pak më ndryshe, gazetari Haxhiu do të parapëlqente të jetonte në një vend të udhëhequr nga Rama.
Krejt e kundërta e Batonit është gazetari Çimi, Çim Peka. Në një botë imagjinare, Çimi do të ishte nga fshati Boletin i Zubin Potokut. Pse? Sërish lehtë e rrokshme. Për dallim nga Batoni, Çimi e mbron Qeverinë e Kurtit, ndërsa e kritikon kryeministrin Edi Rama. Në një gjuhë më pak të komplikuar, gazetari Peka do të endërronte Kurtin (pasi Sali Berisha është jashtë loje) si kryeministër të shtetit ku ai jeton.
Batoni e Çimi u shfaqën në T7 prapë me këto qëndrime të betonizuara.
“Megjithatë ky shtet është ndihmuar të krijohet nga institucionet ndërkombëtare, që nuk po i përmendi shtetet. Dhe sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, nuk janë ndaj Kosovës, janë ndaj Qeverisë. Liberalizimi i vizave ishte pikërisht që mos të sanksionohen qytetarët e Kosovës” – deklaroi mbrëmë gazetari Haxhiu.
Natyrisht, Peka nuk duroi pa e shtruar një pyetje.
“Cili sanksion, Baton?” – ishte pyetja e Pekës, i cili dukej i mërrolur gjatë kohës sa dëgjonte Haxhiun.
“Sanksionet që i ka tani Qeveria” – ishte përgjigja e rrufeshme e Haxhiut.
“Një sekondë, një sekondë…” – është ndërhyrja e Pekës, që u përcoll me gishtin treguar të ngritur lartë.
“Prit ta përfundoj, mos ndërhyjë për secilën sen” – ia ktheu Haxhiu.
“Të jemi serioz” – ishte këshilla e pakërkuar e Pekës, i cili nuk harroi ta fuste në ekuacion edhe Ramën.
“Cili sanksion? Ke thënë që ditën që e ka pezulluar Rama takimin me të (v.j. Kurtin), që ishte njëri nga sanksionet, ndalohet kontaktet me institucionet e Kosovës, përveç dialogut. Pse erdhi ministri i jashtëm anglez për çfarë erdhi? Është se sanksionet kanë ngelur në kokën e juaj. Cili sanksion? Kryeministri irlandez për çfarë erdhi?” – shtoi Peka, i cili debat vazhdoi edhe më tutje, duke u përcjellur edhe me disa ironi.