Bash ku e la Escobari, e vazhdon Kasanofi: Draftin e Asociacionit në Kushtetuese - NACIONALE

Bash ku e la Escobari, e vazhdon Kasanofi: Draftin e Asociacionit në Kushtetuese

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimore, Alexander Kasanof qëndroi këto dy ditë në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë. Porositë për shtetin nisën bash aty ky e la paraardhësi i tij, Gabriel Escobar: Drafti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duhet të dërgohet në Kushtetuese për shqyrtim.

Gjatë një takimi me gazetarët në Kosovë të premten, Kasanof bëri me dije se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, kanë komplikuar kapacitetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta mbështetur Kosovën.

“Në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin kam përsëritur dëshirën tonë për një partneritet më efektiv.

“Gjithashtu, jam shprehur i kënaqur me rifillimin e qarkullimit të mallrave [nga Serbia në Kosovë] dhe që Kosova ka arritur të marrë vendin e saj në CEFTA dhe në Procesin e Berlinit”citohet se ka thënë ai.

Mes tjerash, emisari i ri amerikan ka theksuar se presin nga Kosova dhe Serbia t’i përmbushin angazhimet që kanë marrë nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, duke përfshirë këtu marrëveshjet e arritura.

Ai citohet të ketë thënë se këtu përfshihet edhe dërgimi i draft-statutit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

Ku e la Escobar?

Gabriel Escobar pati shpaluar shumëçka për praprapaskenat e disponimit midis Prishtinës dhe Uashingtonit. Për qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, ai ishte shprehur se “nuk kanë histori të gjatë qeverisjeje” dhe se rrjedhimisht “nuk po i mendojnë pasojat deri në fund”.

E tëra kishte të bënte me shmangien e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe nga Qeveria e Kosvoës – duke nxjerrë temë-pas-teme si dinari, postat serbe, bankat serbe, komunat paralele – ndërsa Escobar kërkonte adresimin e tij.

“E kemi të vështirë të kuptojmë pse Kosova nuk i përmbush obligimet e saj ligjore, dhe nuk ka dhënë sinjale që do ta bëjë këtë.” - pati thënë Escobar në paraqitjen e tij të fundit në rolin e emisarit amerikan për rajon.

Vlen të theksohet se Escobar gjatë kohës sa ka qenë emisar është sulmuar nëpër rrjete sociale disa herë nga aktivistë e zyrtarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Këtu, përfshihet edhe kryeministri Kurti i cili kishte deklaruar:

"Mendoj se sjellja dhe deklaratat e zotit Escobar ndaj Beogradit janë lëshime. Por nga ana tjetër Beogradi nuk i kupton këto lëshime. Ata nuk mendojnë se është një virtyt i Escobar. Ata nuk mund të mendojnë se kjo është bujaria e Amerikës. Ata mendojnë, por kanë frikë nga ne. Pra, le të kërkojmë edhe më shumë. Mendoj se edhe zoti Escobar, nëse nuk e ka kuptuar deri tani, do ta kuptojë shumë shpejt se kjo bujari ndaj Beogradit nuk ia vlen”.

Lajme të ngjashme