Barriakdat nga veriu pritet të hiqen sot
Pas 20 ditëve, mëngjesin e së enjtës pritet të nisë heqja e të paktën dhjetë barrikadave të vendosura në pjesën veriore të Mitrovicës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mbrëmjen e së mërkurës ka thënë se është çështje orësh largimi i barrikadave, duke thënë se nëse nuk ndodhë kjo, “do të ketë veprim të menjëhershëm”.
Osmani në “Rubikon” ka deklaruar se barrikadat do të largohen, “pas koordinimit me aleatët e vendit”.
“Por mund të them se pikërisht për shkak të kooridnimeve me aleatët tanë, është çështje orësh heqja e barrikadave, dhe nëse nuk largohen ato, do të ketë veprim të mënjehrshëm të dakorduar, të institucioneve tona.” – tha ajo.
Edhe nga pala serbe kanë deklaruar se barrikadat mund të nisin të hiqen mëngjesin e së enjtës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se barrikadat do fillojnë të hiqen mëngjesin e së enjtes, pasi sipas tij, “serbët ia pranuan propozimin.
Radio Evropa e Lirë raporton se Vuçiq, pas takimit në Rashkë me serbët nga Kosova, ka thënë se barrikadat hiqen deri pas 48 orëve.
“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat.” – ka thënë ai.
Kosovo-Online ndërkaq, citon Vuçiqin të ketë thënë se “i la serbët të marrin vendimin e tyre”.
“I kam lutur, i kam lënë vetëm të marrin një vendim dhe më pas më kanë dorëzuar atë që kanë hartuar në barrikada. Serbët nuk besojnë në institucione.” – ka thënë Vuçiq.
Ai tutje ka vazhduar: “Barrikadat do të largohen, por jo edhe mosbesimi”.
E tensionet në veri janë ngritur që nga nëntori, kur serbët u larguan nga institucionet e Kosovës. Por, tensionet kulmuan me vendosjen e barrikadave më 10 dhjetor.