Barduani: S’është koha të hapet ura mbi Ibër, rrezikohen ushtarët dhe qytetarët
Komandanti i KFOR-it, gjenerali italian Enrico Barduani, ka theksuar se hapja e Urës së Ibrit në Mitrovicë, pa zgjidhjen e çështjeve politike, mund të shkaktojë rrezik të panevojshëm për sigurinë e trupave ndërkombëtare dhe komunitetit lokal.
Në një intervistë për Kosova Online, Barduani theksoi se vendimi për hapjen e kësaj ure duhet të jetë rezultat i një dialogu të strukturuar dhe të dakorduar në kuadër të procesit në Bruksel.
“Sa i përket urës në lumin Ibër, qëndrimi i NATO-s dhe KFOR-it ishte i qartë, transparent dhe konsistent. Për shkak të çështjeve të pazgjidhura politike, hapja e urës në këtë kohë do t’i ekspozonte ushtarët e KFOR-it dhe komunitetin lokal ndaj një rreziku të papranueshëm dhe të panevojshëm të dhunës. Vendimet për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të merren përmes dialogut dhe koordinimit në kohë dhe efektiv me bashkësinë ndërkombëtare dhe KFOR-in”, tha ai.