Bajrami: Të korruptuarit janë njerëzit më besnikë të VV-së
Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës dhe VV-në në lidhje me kontratat njëburimore. Në fakt, deputetja Bajrami është nismëtarja e krejt këtij diskutimi në Kuvendin e Kosovës e në studiot televizive. Çka tha deputetja e LDK-së?
Duke folur në Kanal10, Bajrami vlerësoi se njerëzit më besnikë të VV-së në institucione janë të korruptuarit.
“Këta kanë njerëz të tyre edhe nëpër institucione, bile të ju them të drejtën, sidomos të korruptuarit dhe keqbërësit tash janë partnerë të tyre më lojal të krejt institucioneve. Në qoftë se i sheh shumica janë prej atyre të cilat janë munduar të afrohen me secilin pushtet dhe ndoshta tash kanë gjet bashkëpunim dhe kooperim me ta. Por, nuk ka kurrfarë justifikimi Ligji i Prokurimit Publik e thotë qartë se kontratat e negocime janë të lejuara në raste shumë specifike, në rast të emergjencave të mëdha…”, ka thënë Bajrami.
Tutje, Bajrami ka vlerësuar se mënyra e dhënies së tenderave nëjburimor është e papranueshme, ngase procedurat e prokuroimit nuk i procedon ministri.
“Ministri nuk mundet me u përzi në politikat e prokurimit, por është një nen që ministri duhet me nënshkruar secilin tenderë i cili e ka vlerën mbi 250 mijë euro. Në ndërkohë nuk ka departament të prokurimit që mundet me shku me thënë se unë nuk po dua me shpall tender sepse atë e obligon ligji dhe po dua të negociojë. Në qoftë se edhe ministri e vendos në kabinetin e tij do të thotë edhe kjo është komplet e papranueshme sepse procedurat e prokurimit nuk i procedon ministri”, ka thënë Bajrami.
Sjellim ndër mend që LDK-ja në vazhdimësi ka insistuar që të themelohet një komision hetimor parlamentar për të hetuar kontratat një burimore të lidhura gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti. Megjithatë, javën e kaluar ka dështuar themelimi i një komisioni hetimor për këtë temë, pasi pushteti e bllokoi themelimin e komsionit.
Ndërsa ditë më parë, Bajrami u kishte bërë thirrje deputetëve të shumicës që të lejojnë themelimin e komisionit hetimor parlamentar për kontratat sekrete.
“Ju bëj thirrje ta votoni komisionin hetimor parlamentar, për kontratat 2021-2023. LVV le të bëj kërkesë për komision hetimor për vitet 2015-2017, nëse dojnë edhe për me herët kthehemi prej kohës kur shefja e grupit parlamentar të LVV e pat shitë distribucionin e KEK-ut për 26.3 milionë euro dhe unë ju premtoj se Grupi Parlamentar i LDK-së do t’i votoj të gjitha komisionet.” – përfundon shkrimi i Bajramit.