Bajrami tall Kurtin: Sot mban mbledhje ku do të formojë Komisionin për bashkimin kombëtar
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami në festën e 28 nëntorit, ka publikuar videon e famshme të Albin Kurtit, ku si opozitar, tregonte se si do ta bëjë bashkimin kombëtar me Shqipërinë.
Bajrami përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka ironizuar duke thënë se “gjatë ditës Qeveria pritet të mbajë mbledhje ku do të caktohet grupi për hartimin e dokumentit për projektin e idesë së bashkimit kombëtar”.
“Sot gjatë ditës pritet që Qeveria të mbajë një mbledhje elektronike (imagjinare), ku do caktohet grupi punues për caktimin e ekspertëve që do ta hartojnë koncept dokumentin, për projektin e idesë së bashkimit kombëtar.
Mos të nxitohemi, ende ka kohë për bashkim kombëtar, deri me 9 shkurt.” – ka shkruar ajo.
Ndëkrohë, Kurti në këtë video dëgjohet duke thënë:
“Ndërkombëtarët për shembull mujnë me vetë, si e mendoni ju bashkimin kombëtar, unë them Lëvizja Vetëvendosje e merr pushtetin, e ndryshojmë Kushtetuten, e heqim nenin 1.3, në mënyrë paqësore dhe demokratike i bashkohemi Shqipërisë si hapi i parë për bashkimin kombëtar”.