Bajrami: S'e kemi asnjë projekt të madh të përfunduar me 12 miliardë euro buxhet
Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, gjatë një interviste në emisionin "FRONTAL" në T7, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për mungesën e projekteve kapitale.
Duke iu referuar një deklarate të ministrit Hekuran Murati, ajo theksoi se, pavarësisht pretendimeve për realizimin e investimeve kapitale, ekzekutivi aktual nuk ka lënë asnjë projekt të rëndësishëm si trashëgimi për vendin.
“Në këtë video ky tha që kemi arritur ta shpenzojmë buxhetin për investime kapitale në shumë prej 654 milionë eurove dhe nuk arriti ta thotë as edhe një projekt të vetëm, dikur e përmendi shtëpinë e kulturës në Suharekë “Ukë Bytyqi” e cila në fakt nuk ka nsiur në mandatin e tyre, ka qenë një projekt që këta e kanë marrë në gjysmë ose në përfundim e sipër. Këta nuk e kanë asnjë projekt, këta njihen për urën e Saradranit të cilën ka dalë Kurti dhe e ka pre shiritin dhe njihen për urën e Badocit që është 34 metra që zgjati plot dy vite për me ndërtu." - tha Bajrami.
Sipas saj, me një buxhet prej 12 miliardë eurosh dhe mbështetje të madhe në Kuvend, kjo qeveri nuk ka lënë asnjë projekt të rëndësishëm që do t’i shërbente zhvillimit afatgjatë të Kosovës.
"Nuk e kemi asnjë projekt të madh që ka përfundu dhe të cilin Qeveria Kurti me 12 miliardë buxhet dhe me 51 për qind të votave në kuvend do t’ia lë trashëgimi këtij vendi”, tha deputetja e LDK-së.