Bajrami: Qeveria s’duhet të presë vlerësime për kompensim të dëmeve, të nxitojë për ndihmë
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pas vërshimeve në disa komuna të Kosovës.
Bajrami përmes një postimi në Faceook, ka thënë se gjendja e jashtëzakonshme kërkon reagim të jashtëzakonshëm.
“Gjendja e jashtëzakonshme kërkon reagim të jashtëzakonshëm. Nga këto foto shihet qartë se qindra familjeve shtëpitë u janë bërë të pabanueshme. Shqetësimi kryesor sot për secilin e parasegjithash për Qeverinë duhet të jetë: ku flenë sonte këta njerëz?” – ka shkruar ajo.
Deputetja e LDK-së ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të presë për vlerësim por t’i ndihmoi të dëmtuarit me mjete konkrete.
“Qeveria nuk duhet të presë për vlerësime, llogaritje e formula, për kompensim të dëmeve. Nxitoni, numëroni familjet që kanë ngelë pa banim dhe ndani buxhetin e nevojshëm, e ndihmoni të dëmtuarit me mjete konkrete. Qeveria ka mjete, ka buxhet, të veprojë menjëherë, ta di se askush nuk i akuzon që me taksa të qytetarëve me i ndihmu qytetarët.” – ka përfunduar Bajrami.
