Bajrami fton qytetarët në tubimin përmbyllës: Ky është momenti ynë, kjo është koha jonë
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Hykmete Bajrami ka ftuar qytetarët që të dalin në sheshin e Prishtinës në ora 18:00 për tubimin përmbyllës.
Bajrami përmes një postimi në Facebook ka falënderuar qytetarët për mbështetjen gjatë fushatës zgjedhore.
“Për gjatë 30 ditëve fushatë, në qindra tubime, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës, kemi shkruar së bashku historinë e një fushate të jashtëzakonshme. Kemi shkruar dhe shtruar rrugën për ndryshim.”
“Ju falënderoj nga zemra secilin prej jush! Falënderoj strukturat e partisë, falënderoj secilin burrë e grua, falënderoj djemtë e vajzat, të cilët me përkushtimin dhe energjinë e tyre na kanë dhënë forcë e motiv çdo ditë. Falënderoj nga zemra edhe të moshuarit tanë, të cilët me prezencën dhe përkrahjen e tyre kanë madhështuar tubimet tona. Ata janë shtylla e LDK-së, janë veprimtarë që janë me LDK-në sot e 35 vite më parë, ata janë vetë historia e shtetit tonë.” – ka shkruar Bajrami.
Në fund Bajrami ka thënë se “ky është momenti ynë – kjo është koha jonë.”
“Në orën 18:00, shihemi në shesh në tubimin më të madh, në festën e fitores së LDK-së – në fillimin e një epoke të re për Kosovën!” – ka përfunduar ajo.