“Badovci”; “Performanca”: LDK-ja dhe PDK-ja vazhdojnë replikat për prishjen e koalicionit në Prishtinë - NACIONALE

“Badovci”; “Performanca”: LDK-ja dhe PDK-ja vazhdojnë replikat për prishjen e koalicionit në Prishtinë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës ende nuk janë qartësuar mirë për prishjen e koalicionit qeverisës në Prishtinë.

Të dy partitë kanë vazhduar të fajësojnë njëra-tjetrën për një gjë të tillë. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama dhe kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili, kanë dhënë mbrëmë arsyeje të ndryshme për prishjen e marrëveshjes së bashkëpunimit.

I pari ka kritikuar zyrtarët e PDK-së për mungesë të përformancës në punë, kurse këta të fundit kanë thënë se Rama ka shkarkuar zyrtarët e PDK-së pasi kjo parti nuk e ka përkrahur këmbimin e tokave në Prishtinë.

Në një intervistë në emisionin “Kallxo Përnime”, i pari i kryeqyteti ka treguar se kur kanë filluar mospajtimet me PDK-në.

“Tri seanca nuk ka ardhur në Kuvend. Më kanë thënë se duhet së pari t’ua dërgoj atyre këto pikat e rendit të ditës, pastaj të tjerëve. Unë kam thënë që s’e kam problem pasi ato pika dërgohen prej të gjithë drejtorëve dhe i shkojnë gjithë Asamblesë. Nuk e di pse nuk kanë ardhur më pas. Mua kjo nuk më duket e logjikshme”, ka deklaruar Rama.

Ai ka bërë me dije se me ish-drejtonin nga radhët e PDK-së ka pasur probleme për shkak të bërllokut.

“Në aspekt të mbeturinave ka qenë problem që nga fillimi, kemi marrë hapa për këtë, janë ndarë fonde e subvencione për drejtorinë, prej vitit të kaluar kemi pasë takime urgjente, dhe kanë thënë se kanë plan ta zgjidhin. Në gusht u kam thënë se kjo është e fundit sepse nëse nuk ka mundësi të kryejë punë vetëm “Pastrimi”, na duhet ndihmë. Më janë lutur të vazhdojë deri në nëntor, drejtori i Shërbimeve Publike, ‘Pastrimit’ dhe nënkryetarja”, ka thënë Rama.

Më tej, ai ka treguar se pse ka shkarkuar ish-nënkryetaren e kryeqytetit nga radhët e PDK-së, Donjeta Sahatçiu.

“Në shtator kur ishte problemi i shpërndarjes së librave me Ministrinë e Arsimit e kam ftuar drejtoreshën, Besianën, dhe nënkryetaren që ka qenë e dedikuar për digjitalizim dhe u kam kërkuar ta shtyjnë procesin përpara që mos të humb koha. U pajtuam që të shtyhet ky proces për digjitalizim dhe në dhjetor i thash prapë nënkryetares, por më tha se është kundër sepse Agjencia e Shoqerisë së Informacionit nuk e lejon”, ka deklaruar Rama.

Rama ka mohuar se veprimet ndaj zyrtarëve të PDK-së kanë të bëjnë me çështjen e Badovcit.

“Nuk ka të bëjë me Badovcin. I kemi treguar të gjitha faktet. Kjo ka qenë arsyetim i tyre që kinse ne po e mbrojmë Badovcin nga ndërtimet, kush po u thotë të ndërtojnë?”, është shprehur Rama.

Por, PDK-ja është e bindur se shkarkimi i zyrtarëve të saj ka ndodhur vetëm për shkak të Badovcit.

Kryetari i degës së PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se arsyet e cekura nga kryetari Rama nuk qëndrojnë.

“Realisht ne kemi qenë një koalicion dy vjet me LDK-në në Prishtinë, koalicion i cili u bë pas një kërkese që m’u drejtua mua nga ana e kryetarit Rama por edhe e LDK-së. Në atë kohë pata vendos që të jem pjesë e koalicionit, dhe kam dërgu një ekip jashtëzakonisht të mirë, një ekip që për herë të parë e kemi deleguar një nënkryetare grua. Kryeqyteti mendoj se është vonu që nuk ka patur deri atëherë nënkryetare grua, ndoshta dhe kandidat për kryetare grua dhe kam patur dëshirë që të vendosim një mendësi progresive”, ka thënë ai.

Sipas tij, problemet kanë nisur të shfaqen se fundi.

Por kohëve të fundit ne kemi patur disa kërkesa në vazhdim me koalicionin që ta kemi një llogaridhënie pak më të madhe, një koordinim më të madh, dhe nuk u përfillën. Kanë qenë kërkesa që ta kemi një koordinim paraprak para votimit të pikave. Vinin pikat shumë shpejt, shumë pika”, është shprehur Ismaili në “Blic Intervieë”.

Sipas tij, asamblistët e PDK-së nuk janë makina votimi.

“Kur të njëjtit kërkojnë llogaridhënie prej meje normal se kërkojnë edhe nga partneri i koalicionit dhe kjo nuk u arrit. Pastaj erdhi kjo seanca për Badovc. E mira është që Prishtina ne na ka ‘ba hesap’, unë e kam patur një fushatë jashtëzakonisht të mirë, por nëse unë jam aty me votën e qytetit atëherë do të kërkoj nga ti me pru më të mirën. Erdhi seanca e Badovcit dhe unë kam qenë prej politikanëve të parë ndoshta që kam fol kundër Badovcit në kohën e Shpendit. Nuk morëm pjesë në seancë si një sinjal i mjaftueshëm për me kuptu që nuk është çështje që duam të përfshihemi dhe nga ana tjetër nuk mendojmë se duhet me kalu. Pritëm edhe një mendim nga MAPL, por në realitet ne e pamë që edhe me MAPL u krijuan probleme të mëdha, të njëjtit herë binin mendime pozitive dhe herë negative”, ka deklaruar Ismaili.

Lajme të ngjashme