“Babi nuk është në dijeni”: Djali i Imri Ahmetit bëhet menaxher në KRU “Prishtina”
Qëndrim Ahmeti, i cili është djali i kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, është avancuar në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit "Prishtina".
Avancimin e tij në këtë ndërmarrje publike ai e ka pranuar vetë.
Në një prononcim për gazetën Blic, Ahmeti ka thënë se pozita që ka marrë në këtë ndërmarrje është ajo e menaxherit në departamentin për administratë të përgjithshme në Ujësjellësin “Prishtina”.
“Po, ka ndodhë para pak kohe, për shkak të dorëheqjes së drejtorit aktual dhe pastaj menaxhmenti ka vlerësuar emrin tim për pozitën e ushtruesit të detyrës së menaxherit të administratës. Është dërguar një listë me propozime të emrave që janë parë si të duhur dhe është vlerësuar performanca ime e jashtëzakonshme në zyrën ligjore sa kam qenë paraprakisht dhe është vendosur për emrin tim në këtë pozitë”, ka thënë Ahmeti.
Kur është pyetur për ndikimin e babait të tij në këtë avancim, ai ka dhënë një përgjigje interesante.
Ai ka thënë se prindi i tij ende nuk di asgjë për këtë avancim.
“Në fakt, prindi im as nuk është në dijeni për këtë.”, është shprehur Ahmeti.