Avokati i Gucatit: Kosova nuk priti që Specialja do të kryejë hetime kundër Adem Jasharit
Për të dytën ditë me radhë ka vazhduar dhënia e fjalëve përfundimtare në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt. Përderisa, fjalën e tyre dje e dha Prokuroria, sot radhën e kishte mbrojtja e Gucatit. Një gjë e tillë do të vazhdojë gjatë gjithë javës.
“Haradinaj e Gucati nuk janë kundër drejtësisë. Identitetet e zbuluara nga dokumentet e Gjykatës Speciale ishin kryesisht prokurorë serbë e zyrtarë të tjerë shtetërorë serbë. Gucati e Haradinaj nuk zbuluan emra të personave privat që ishin dëshmitarë të mbrojtur nga Gjykata. Krerët e OVL-UÇK-së, gazetarët e të gjithë të tjerët në Kosovë kanë pritur një hetim që do të tregonte se kush e vrau Adem Jasharin dhe familjen e tij, dhe jo një hetim kundër Adem Jasharit e bashkëpunëtorëve të tij.”
Këto ishin vetëm disa nga fjalët e Jonathan Elystan Rees avokati mbrojtës i Hysni Gucatit, në përpjekjen e tij për t’i rrëzuar pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Në fjalën e tij Avokati Rees shprehu shqetësimin e klientit të tij për njëanshmërinë e kësaj gjykate:
“Kjo Gjykatë Speciale që është ngritur duhet të ndjekë edhe krimet e kryera nga serbët dhe Serbia, nuk e mendoj që është e drejtë, e barabartë kjo lloj drejtësie. Unë nuk po bëj asgjë por ata duhet ta bëjnë punën e tyre të drejtë dhe në mënyrë të barabartë. Këto nuk janë sofizma nga Gucati, sigurisht i takon trupit gjykues që të vlerësojë Gucatin, si njeri, si dëshmitar, por një gjë që nuk mund të mendoni për të, që ai është një njeri i sofistikuar, ai përpiqet që të flasë sa më qartë dhe drejtpërdrejtë që të jetë e mundur”, është shprehur avokati i Gucatit.
Një shqetësim tjetër që u ngrit nga Mbrojtja e Gucatit ishte edhe ajo se, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka pasur qasje të përgjithësuar për të akuzuarit, duke mos i veçuar deklaratat e dy të akuzuarve, por duke i trajtuar në pako.
Në vazhdim të seancës mbrojtja e krerëve të OVL-UÇK-së u fokusua në analizimin e deklaratave të dëshmitarëve të ZSP-së.

Sipas mbrojtjes dëshmia e gazetarit Halil Berisha, tregon konsistencën e kuptueshmërisë së ligjit nga Gucati, Haradinaj, Berisha dhe të gjithë të tjerëve që kanë pasur qasje në dokumentacionet e Prokurorisë.
“Fajësia e Gucatit është e përcaktuar nga të qenit në dijeni se një dokument i ZPS-së është konfidencial. Çdo njeri që nuk është punëtor i ZPS-së dhe që ka informacione konfidenciale për këtë lëndë është fajtor. Nga ky interpretim i bie se as z.Gucati e as z.Berisha nuk janë fajtor. Sepse edhe gazetari Berisha mori pjesë në konferencën e organizuar nga OVL e UÇK-së”, shtoi Ress.
Në pjesën e dytë të ditës, mbrojtja analizoi deklaratat e punonjësit të sigurisë së dëshmitarëve në ZPS gjatë kohës së rrjedhjeve të dokumentave nga Gjykata Speciale, Mirko Jukiq.
Avokati mbrojtës tha se dëshmia e Jukiq duhet të shikohet me kujdes, ngase sipas tij ka shpërputhje të mëdha në shkresat e prezantuara nga ai si dhe nga dëshmitë e tij.
“Në një rast z.Jukiq i vetdijshëm se duhet të jap dëshminë vetë për rastet kur kishte qenë i pranishëm, ai jep dëshmi në situatë që vërtetohet se nuk ishte prezent fare. Dëshmia e zotit Jukiq duhet të shikohet me kujdes, sepse ka shumë shpërputhje në shkresat dhe dëshmitë e tij”, thotë avokati i Gucatit.
Më tej ai shton se në konferencat e organizuara për medie nga OVL e UÇK-së përmenden 14 emra, që të gjithë persona publik. Prokurorë e zyrtarë serbë. Sipas tij asnjëri nga ta nuk është ankuar se i është rrezikuar jeta ose se në ndonjë formë është kërcënuar.
“Veprimet e z.Gucati për t’i përmendur vetëm personat publik është në kuptim të drejtë me ligjin, dhe asnjëri nga këta persona nuk është ankuar në ZPS për faktin se u përdorën emrat e tyre në konferencë për medie. Të paktën ne nuk kemi asnjë provë se ekziston një ankesë e tillë. Nuk ka prova se ndonjëri nga këta 14 persona është kërcënuar, frikësuar ose iu është bërë cfarëdo lloj presioni nga dikush, ose se kanë vuajtur ndonjë dëm të caktuar”, ka thënë avokati Jonathan Rees.
Seanca e sotme u pezullua, për të vazhduar nesër ku pritet të vazhdohet fjala përfundimtare e mbrojtjes së nënkryetarit të OVL-UÇK-së Hysni Gucati. Pas tij, fjalën finale në këtë rast do ta thotë edhe avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman.
Për të premten, është parashikuar që ta japin deklaratën e tyre dy të akuzuarit, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, para vendimit përfundimtar të gjykatës.