Avokati Berisha nuk ndalet, kërkon hetim ndaj prokurorit Rasim Maloku
Avokati Besnik Berisha nuk është ndalur me verimet e tij për të denoncuar prokurorin Rasim Maloku, me urdhër të të cilit është arrestuar më 13 korrik.
Me anë të një kërkese, ai urgjentisht ka kërkuar nga ushtruesit i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, që ta marrë nën juridiksion çështjen e tij.
Në letrën të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale, Berisha kërkon që një grup prokurorësh ta vlerësojnë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e veprimeve procedurale të kryera nga prokuroria Rasim Maloku.
“Të themeloni një ekip prokurorësh, detyra e të cilëve të jetë vlerësimi dhe shqyrtimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë se çdo veprimi procedural të marrë kundër meje nga prokurori Rasim Maloku, përkatësisht arrestimit tim, bastisjes dhe kërkesës për caktimin e paraburgimit; Të merrni nën juridiksionin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit çështjen penale PP\I.nr.58|23 kundër meje”, ka kërkuar Berisha.
Ai ka vlerësuar se prokurori në fjalë ka keqpërdorur kompetencat e tij, duke shtuar se ai duhet të hetohet penalisht.
“Të inicioni procedurë hetimore kundër prokurorit Rasim Maloku, në drejtim të hetimit penal të keqpërdorimit të autorizimeve të tij zyrtare, përmes abuzimit me pushtetin prokurorial”, thuhet në letrën e avokatit.

Evidentimi i shkeljeve
Avokati Berisha në letrën e tij ka evidentuar të gjitha shkeljet që janë bërë në rastin e tij nga prokuroria maloku.
“Ashtu, siç tashmë kamë denoncuar edhe publikisht, me këtë parashtresë denoncoj veprimet arbitrare dhe të kundërligjshme, gjegjësisht krimet e kryera nga prokurori Rasim Maloku, i cili, duke iu sevilosur urdhrave të pushtetit, të dhënë nga një ministre e Drejtësisë dhe jo vetëm, të cilën unë e kam kritikuar publikisht për paditurinë, dështimet dhe paaftësinë e saj profesionale, më datën 13,07.2023, duke shpërfillur dhe shkelur çdo garnaci ligjore nga neni 33.1 i Ligjit Nr.o4\:-193 për Avokatinë urdhëroi arrestimin tim, duke abuzuar haptazi dhe qëllimshëm me autorizimet e tij zyrtare”, është thënë në letrën e avokatit.
Ai ka bërë me dije se arrestimi i tij ishte një hakmarrje e pastër.
“Arrestimi im arbitrar dhe i kundërligjshëm, si dhe kërkesa për caktimin e paraburgimit, e datës 14,07.2023, reflektojnë hakmarrjen e paskrupullt dhe meskine të pushtetit të instaluar në vend, përmes veglës-mashës së tij, prokurorit Rasim Maloku, abuzimin me pushtetin prokurorial dhe persekutimin në emër të drejtësisë. Këto veprime arbitrare, të kundërligjshme dhe të papranueshme e përbëjnë një sulm të paprecedent kundër meje personalisht, si dhe kundër vlerave dhe vetë profesionit të lirë dhe të pavarur të avokatisë”, ka vlerësuar Berisha në letrën e tij.
Me tej, ai tregon për pasojat që mund t`i sjell veprimi i prokurorit Maloku.

“Për më tepër, amnistimi eventual i të tilla veprimeve arbitrave dhe të kundërligjshme minon sigurinë juridike të çdo qytetari të Republikës, si dhe instalon frikën, terrorin dhe nënshtrimin përpara pushtetit, i cili shërbehet me mashat e tij, siç është prokurori Rasim Maloku”, ka vlerësuar ai, duke treguar se në rastin e tij janë shtrembëruar faktet.
“Ashtu siç është argumentuar fuqishëm gjatë seancës dëgjimore të datës 14.07.2023, e cila zgjati plotë 10 orë, kërkesa për caktimin e paraburgimit përmban gënjeshtra të kulluara, shtrembërime të qëllimshme të fakteve, trillime dhe sajesa inkriminuese që nuk gjejnë asnjë mbështetje në deklaratat e dëshmitareve, por janë rezultat i hakmarrjes së paskrupullt dhe meskine të prokurorit të çështje Rasim Maloku, i cili urdhëroi arrestimin tim, duke abuzuar haptazi dhe qëllimshëm me autorizimet e tij zyrtare”, ka vlerësuar Berisha.
Në letrën e tij të gjatë, avokati pretendon se arrestimi i tij është bërë në mënyrë të kundërligjshme.
Ai ka bërë me dije se arrestimi i tij nuk është urdhëruar nga gjykata.
“Ju garantoj se arrestimi im më datën 13.07.2023 ka qenë tërësisht i kundërligjshëm dhe haptazi arbitrar, sepse i njëjti, edhe pse dyshimet ndërlidheshin me vepra në kuadër të ushtrimit të profesionit, nuk është urdhëruar nga Gjykata kompetente, siç parashihet shprehimisht me nenin33.1 të Ligjit Nr. 04\L-193 për Avokatinë, por është autorizuar nga prokurori i çështjes Rasim Maloku, i cili, i prirur nga meskiniteti dhe qëllimi për hakmarrje të paskrupullt kundër meje, abuzi me kompetencat e tij, duke urdhëruar ndalimin tim për 48 orë”, ka vlerësuar Berisha.
