Avni Dehari dorëz-në-dorë të Vetëvendosjes, e mbyll për të 36'ën herë dështimin e Albulena Haxhiut
Dorëz-në-dorë të Vetëvendosjes.
Avni Dehari, kryesuesi i seancës konstitutive thjesht nga virtyti i moshës, mbylli sërish seancën për të 36’ën herë me radhë si pasojë e votave që s’i kanë.
As shumicë parlamentare dhe as marrëveshje me partitë e tjera për një kandidat të tyre të pranueshëm për Kryetar të Kuvendit.
Pa vota të partive të tjera, Vetëvendosja nuk mund të zgjedh gjë.
Më së shumti Albulena Haxhiu ka shkuar në 57 vota.
“Konstatoj se ka kuorum, mund të vazhdojmë”, e nis Dehari seancën për ta mbyllur pas dy-tre minutash kur nuk kanë vota. “Nuk ka kuorum, seanca mbyllet”, e kryen ai pavarësisht se 100-e-kusur deputetë janë të pranishëm.
Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, me doemos tha se “duhet votim të fshehtë” për Albulena Haxhiun: duke paramenduar se ka deputetë nga partitë tjera që votojnë Haxhiun.
Vetëvendosja, që në jetën e saj parlamentare opozitare nuk ka votuar kurrë askënd për kryetar të kuvendit kur ishte në opozitë, tash kërkon nga të tjerët një gjë të tillë.
Pavarësisht se nga 48 deputetë sa i ka, Vetëvendosja i ka rreth 40 prej tyre të pranueshëm nga partitë ish-opozitare, emri i Albulena Haxhiut është gdhendur në gurë.
Haxhiu mediave i është ‘lutur’ që qëndrimin e pëhershëm të saj të mos e shohin si insistim personal por si “vendim të partisë”.
“Duhet ta kemi votimin e fshehtë. Sepse deputet duhet të jenë të lirë ta shprehin vullnetin e tyre. Pse ka kaq shumë mosbesim ndaj voitmit të tyre. Sa u thonë ua fotografojmë votën. Le të konsumohet votimi i fshehtë njëherë”, tha Murati.
Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahir, pas seancës rikujtoi se PDK-ja i ka ofruar zgjidhje dhe hapur rrugë me 40 emra që për ta janë të votueshëm brenda radhëve të Vetëvendosjes.
Por, kjo s’pranohet nga VV: ose Albuena Haxhiu, ose hiç.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, u shpreh se nuk e dinë sa kohë do të zgjasë kjo bllokadë, dhe se Vetëvendosja është “ngunjuar” në një emër e cila nuk ka vota.
“Janë ngunjuar pas një emri për të cilën nuk i kanë votat. Fajtori është këtu vetëm Vetëvendosja. Nuk e di sa do të zgjasë kjo situatë, më vjen keq kjo që për 36’ën herë”, tha ajo.