Avdullah Hoti: Është e papranueshme mungesa e transparencës lidhur me dialogun
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, konsideron se Qeveria e Kosovës nuk është transparente në lidhje procesin e dialogut, teksa e cilëson si këtë si “të papranueshme”.
“Është e papranueshme mungesa e transparencës lidhur me dialogun. Qeveria, si bartëse e procesit, e ka obligim kushtetues të raportojë në Kuvend për zhvillimet e deritashme”, - ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.
Ish-kryeministri ka përmendur marrëveshjet që janë arritur, po thotë se nuk ka parë dokumente të nënshkruara.
“Janë arritur disa marrëveshje teknike, si për energjinë, për targat e për dokumentet e udhëtimit, por askush nuk ka parë dokument të nënshkruar. Është pranuar nga Qeveria propozimi franko-gjerman dhe janë dërguar komente. Por nuk është informuar Kuvendi dhe publiku se: (1) cila është përmbajtja e plotë e atij propozimi, (2) çfarë komentesh ka dërguar Qeveria, (3) cili ka qenë reagimi i ndërmjetësve lidhur me komentet e dërguara dhe (4) sa janë reflektuar ato në draftin që është pranuar së fundmi ga Qeveria”, - ka shkruar Hoti, teska e cilëson si të domosdoshme informimin e publikut përmes një fushate informuese dhe tryezave diskutimi me shoqërinë civile dhe komunitetin akademik.
“Transparenca ndihmon në ndërtimin e konsensusit shoqëror dhe politik për marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke, e cila duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e të gjithë deputetëve”, - përfundon Hoti.
