Ato që nuk shihen në syrin special të Gjykatës Speciale
Ora 08 e 20 minuta. Një kolonë e madhe me biçikleta kalonte para rrugës së objektit që dikur ishte muze, jo larg qendrës së Hagës. Në motin me diell, për çudi, sepse shiu këtu është i përditshëm. Dy vetura me xhama të zinj, ishin pozicionuar nën një urë. Më ngjante me skenën e disa filmave, ku në çdo moment pritej ‘aksioni’. Në fakt, ‘aksioni’ i vetëm i atyre që gjendeshin brenda veturave, nën urën e Hagës, ishte të niseshin drejt meje dhe kolegëve që ishim bërë gati të filmonim.
Dukeshin që nga larg se ishin pjesëtarë të Policisë apo ndonjë institucioni tjetër të sigurisë. Edhe pse në rroba civile. Na e treguan edhe dëshminë. Kërkesa ishte që fytyrat e tyre të mos publikoheshin. Orari në të cilin kishim dalë ishte koha kur holandezët shkojnë në punë, e fëmijët në shkollë. Andaj, lëvizja e biçikletave vetëm sa shtohej. Por, pa kaluar shumë minuta, lëvizja e tyre u ndalua!
Shtegun e çiklistëve, e zunë disa vetura. Kjo nuk ishte ndonjë shkelje e rregullave të trafikut. Madje, pikërisht ata pjesëtarët e sigurisë që kërkuan të mos xhirojnë, kishin bllokuar dy anët e shiritit ku lëvizin biçikletat. Dyert u hapën e u mbyllën me shpejtësi. Aty ishte një tjetër pjesëtar i sigurisë, që me uniformë ndodhej pak metra më tutje. Veturat për të cilat u bllokua rruga, hynë në oborrin e Gjykatës Speciale në Hagë. E brenda tyre, ndodheshin Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi.
**
Në çantën e mbushur me mikrofona e pajisje të tjera për raportim nga Haga, nxora pasaportën. Ajo është e para që zakonisht e kërkojnë pjesëtarëst e sigurimit në hyrje të Gjykatës. Njëri prej tyre po bënte verifikimin, tre të tjerë ishin afër skanerit ku do të vendosnim çantat. Një procedurë normale e kontrollit, por jo e fundit. Pas meje, dëgjova një bisedë, në anglisht kuptohet. Ishte një tjetër visitor që kishte ardhur për ta përcjellur seancën. Pjesëtarët e sigurisë po e verifikonin telefonin e tij, i cili prapa kishte logon e UÇK-së. Kjo më kujtoi kur Jakup Krasniqit ia kishin ndaluar kollaren me ngyrat kuq e zi. Gjithsesi, vizitori e mori telefonin dhe pas meje u ngjit në hapësirën për përcjelljen e seancave.
Megjithatë, për të shkuar atje, u desh të kalonim edhe një kontroll tjetër. I mësuar me këtë rutinë pasi është hera e tretë që përcjelli gjykimet në Hagë, por mbase diçka e re për atë që syri i kamerës që ofrohet nga Gjykata Speciale, nuk e transmeton për publikun.
Lap-topin, telefonin e të gjitha pajisjet e tjera telefonike i lamë poshtë. Për të shkuar në pjesën sipër ku mund ta përcjellës gjykimin, përveç ndonjë fletoreje apo lapsit, nuk të lejohet asgjë tjetër. Që kjo të sigurohet, e kaluam edhe një kontroll tjetër. Ngjyrat kaltër e verdhë ishin gjithandej brenda hapësirave. Por kjo, jo si rezultat i flamurit të Kosovës, por logos të cilën e kanë krijuar Dhomat e Specializuara të Kosovës. Gjithsesi, temë tjetër kjo. Nisa të ngjitem në shkallët, para arritjes para xhamve mbi të cilët kishte perde.
**
U ulëm në rreshtin e parë, e mbi kokë e kishim gjatë gjithë kohës një tjetër pjesëtar të sigurimit të Gjykatës Speciale. Edhe pse pa telefonë, pa asnjë pajisje, vetëm me një fletore. Diskutimet me kolegë i bënim me zë të ulët, pasi nga momenti në moment pritej nisja e seancës, e cila më vonë doli të ishte e fundit për dëshmitarët e Prokurorisë së Specializuar.
Tri goditjet e çekanit që rëndom i shoh nga ekrani i kompjuterit në zyrë, tingëllonin më ndryshe. “Dhomat e Specializuara të Kosovës çelin seancën”. Perdet u hapën. Bashkë me to, edhe sytë tonë. Rexhep Selimi përshëndeti me dorë në zemër. Kadri Veseli i buzëqeshur diskutonte me një pjesëtar të sigurimit. Thaçi pak më serioz, priste fillimin e seancës.
Më të habiturit ishin gjyqtarët. Vëzhgonin me sy hapësirën e publikut, pasi duket se nuk ishin mësuar me pjesëmarrjen e gazetarëve nëpër seanca. Edhe pse, thënë të drejtën ishim pak. Por kjo ishte shenjë se në të kaluarën, as ata pak, nuk ishin. Diskutimet nisën mes palëve, në seancë private. Kur njëra palë nuk fliste, shikimin sërish ua merrte publiku e gazetarët.
Kur seanca ishte private, nuk dëgjonim. Veç shihnim. Por, për dallim nga distanca, aty të paktën mund të analizosh veprimet e mimikat. Ato që nuk shihen nga syri ‘special’ i kamerës së Speciales, shihen dukshëm më mirë nga syri i sallës për publikun. Kur trupi gjykues po e lexonte vendimin për ta rrëzuar një ankesë së mbrojtjes së Kadri Veselit, avokati i tij, Rodney Dixon, tundte kokën gjithë kohës. Një shenjë pakënaqësie, për një tjetër vendim të rrëzuar për avokatët e ish-krerëve të UÇK-së. Aty një pyetje më erdhi në kokë: “a thua sa herë e kanë tundur kokën e ne nuk i kemi parë”.
Pjesa më e madhe e këtyre seancave, kanë qenë private. Qindra dëshmitarë, mijëra faqe materiale janë pranuar si prova, të cilat si gazetarë nuk i kemi parë e as dëgjuar. Pyetje e cila sigurisht, edhe në fund të procesit, zor se mund të marrë përgjigje.
**
Dëshmitari i fundit nuk dëshmoi. Ngjashëm si pyetja për tundjen e kokës, mbetën edhe shumë pyetje për arsyet pse dështoi seanca. Pse edhe shumë dëshmitarë të fundit të Prokurorisë, nuk shkuan në gjykatore për të thënë përgjigjet e tyre. Por, vendin e këtyre pyetjeve e zuri diçka tjetër. Ai pjesëtari i sigurimit të qëndronte gjatë gjithë kohës ‘mbi kokë’ erdhi në drejtim të nesh me një letër në dorë. Kërkoi nga kolegia e Klan Kosovës, Rina Mujku, që ta shkruante agjencinë ku punon. Pa asnjë shpjegim, pa asnjë informacion. E mori letrën, dhe u largua. Por, pa e lënë asnjëherë sallën e publikut pa sigurim, pasi me largimin e tij erdhi tjetri. Sigurisht, as kjo dhe shumë të tjera, nuk do të dukeshin nga syri special i kamerave të Speciales. Njëjtë siç nuk u duk në ekranin që e kishim në sallë, por të cilin dorë në zemër, nuk e shikoja asnjëherë. Ai sinjal që më përcjellë tash e 5 vjet thuajse nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së.
Të gjitha seancat e javës u anuluan. Prokuroria përfundoi dëshmitarët. Zbrita poshtë për ta përcjellur artikullin në redaksi. I fundit që na përshëndeti, ishte sërish, një tjetër pjesëtar i sigurimit. Një tjetër, na u afrua pak minuta pasi dolëm jashtë dhe shikuam të merrnim disa pamje të objektit të Speciales. Edhe kjo pjesëtare kërkoi që të mos xhironim detaje, e as fytyrat e pjesëtarëve të sigurisë. Ky rregull, që edhe po mos të duash, e mëson me të parën vizitë në Hagë.
Dielli në Hagë, që është i rrallë, nisi të bëhej më i fortë. Na i hapi edhe më shumë sytë. Dukshëm më shumë, se ato që shohim nga syri i kamerës brenda sallës së gjyqit.
Ora rreth 10:30. Ish-krerët e UÇK-së u larguan me veturat me xhama të zi. Por, pa bllokimin e shiritit për çiklistë.